Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi thotë se tani presioni ndërkombëtar duhet drejtuar nga Serbia, që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

“E mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve. HTH”, shkruan ai.