Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili vizitoi së fundi Prishtinën dhe Beogradin së bashku me senatorin tjetër, Ron Johnson, beson se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç “është i gatshëm të bëjë marrëveshje me Kosovën dhe ta njohë pavarësinë e saj, por aktualisht është i zemëruar për taksën”.

“Ne të dy i bëjmë thirrje që të kthehet në tryezën e bisedimeve sa më parë që të jetë e mundur, ndërsa ai na thotë se do të jetë i gatshëm të bisedojë ne momentin qe do të hiqet taksa”, tha Murphy në platformën online, Medium Corporation.

Senatori theksoi se udhëheqësit e Kosovës “ankohen që ka një keqkuptim mes SHBA-së dhe Europës e kjo ka ndikuar në sigurinë e tyre”.

“Ata na thonë se përfaqësues të Washingtonit e Brukselit po mbërrijnë këto kohë në Prishtinë dhe po u japin këshilla të ndryshme lidhur me ndërprerjen e bllokadës mbi mallrat serbe, duke bërë që praktikisht, të mos e dinë se kë të dëgjojnë. Këto janë gabime të politikës së jashtme problematike të Trumpit”, tha senatori demokrat, i cituar nga Radio Evopra e Lirë.

Murphy dhe senatori republikan, Ron Johnson ishin dy javë më parë në kryeqytetin kosovar dhe atë serb. Gjatë ndalesës në Kosovë, të dy ata deklaruan së si Prishtina, ashtu edhe Beogradi duhet të bëjnë sakrifica për arritjen e një marrëveshjeje.