Një konflikt i rëndë familjar ka ndodhur paraditen e kësaj të shtune në qytetin e Ferizajt, në Kosovë. Një 19-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri motrën e tij 25-vjeçare, duke e lënë të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mejdi Xhaferri”, ndërsa pas të shtënave, i riu është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, shtetasit E.M., si dhe sekuestrimin e armës së përdorur.
E plagosura ka marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt dhe më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ka kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes, ndërkohë që motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Prokurori i shtetit është vënë në dijeni dhe hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të këtij rasti tronditës.