Në orët e para të ditës së sotme një aksident tragjik ka ndodhur në fshatin Treboviç të Pejës, ku për pasojë ka humbur jetën një i mitur. Viktimë nga ky aksident ka mbetur një 15-vjeçar që nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Gjithashtu siç raportojnë mediat në Kosovë nga aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe dy të mitur të tjerë që ndodheshin në automjet– përfshirë shoferin e mjetit – të cilët po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk dihet.

Fadil Gashi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës ka konfirmuar rastin.

“Rreth orës 00:02 kemi marrë njoftimin për një vetaksident në fshatin Treboviç. Vetura ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë betoni. Tre persona pësuan lëndime, ku fatkeqësisht njëri prej tyre ndërroi jetë në vend. Dy të tjerët u dërguan fillimisht në emergjencën e Spitalit të Pejës dhe më pas në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm”, tha ai.