Lehtësimi i kushteve monetare në pjesën e dytë të vitit dhe zgjerimi me ritme të larta të aktivitetit ekonomik në vend duket se kanë mbështetur përmirësimin e normave të rritjes së kredisë për sektorin privat. Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë kësaj periudhe kredia për biznese ka vijuar të rritet me norma të larta dhe ka qenë kontribuuesi kryesor në zgjerimin e kredisë totale.
Më konkretisht norma e rritjes së kredisë për biznese arriti në gjashtë mujorin e dytë një tjetër nivel maksimal prej 16.6% më të larta se fillimi i vitit. Rolin kryesor në këtë kategori e ka luajtur kredia e dhënë për biznesin e madh dhe e përdorur për sektorin e turizmit, ndjekur nga sektori i tregtisë dhe industrisë, dhe më pas nga sektori i ndërtimit.
Zgjerimi i këtij portofoli ka qenë i lartë, si në Lekë ashtu edhe në valutë, por teksa në segmentin në Lekë, rritja ka qenë e ngjashme me gjashtëmujorin e parë, ajo në valutë ka shfaqur një zgjerim tre herë më të fortë, i ndikuar edhe nga ulja e kostos së kredisë në Euro.
Rritje ka shënuar edhe portofoli i kredisë për individë, ku një ndikim të rëndësishëm ka pasur zgjerimi i kredisë për blerje banesash. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për bizneset në tremujorin e fundit zbriti në 6.4% nga 6.7% që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Uljen më të ndjeshme e kanë pësuar interesat e kredisë në Euro e dhënë për biznesin. Më konkretisht norma e interesit në tremujorin e fundit rezultoi 6.1% nga 7.0% që shënonte kjo normë në gjysmën e parë të vitit. Tendencë rënëse kanë pësuar edhe normat e interesit për kreditë e dhëna për individët, si për atë konsumatore ashtu edhe për atë hipotekore.