7 dhjetor 2015 – “Thembra e Akilit” në Durrës, është strehimi për mijëra familje e çifte të reja. Por nga aplikimi për të përfituar një banesë me kushte lehtësuese nga shteti, e deri te marrja e çelësave të shtëpisë, janë muaj të tërë, pse jo edhe vite, sorollatje pa fund.

Lista e 369 familjeve në Durrës, që u shpallën si fituese nga bashkia për përfitimin e kredive të lehtësuara nga shteti për strehim, i është dërguar prefekturës për konfirmim, pasi u miratua projektvendimi në Këshillin Bashkiak. Burimet zyrtare nga drejtoria e Shërbimeve Publike në Bashki, bënë me dije për “DurrësLajm”, se pasi projektvendimi i konfirmuar të rikthehet nga prefektura, nis faza e dytë për plotësimin e dokumentacionit nga aplikantët.

Bashkia do t’iu kërkojë të gjithë aplikantëve dokumentacionin për fazën e dytë, që janë vërtetime noteriale dhe nga Tatim Taksat që nuk ushtrojnë aktivitet biznesi.

Por të gjithë aplikantët që nuk kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e fazës së parë, kanë mundësi ta plotësojnë në këtë fazë. Të gjithë dokumentacionin sipas çdo dosjeje, drejtoria e Shërbimeve Publike e dërgon në Entin Kombëtar të Banesave në Tiranë. Specialistët e këtij Enti, do të shqyrtojnë më pas dosjet, dhe në përfundim do t’i nisin në bankë, si përfitues të kredive të buta të lehtësuara nga shteti. Por Enti Kombëtar i Banesave, ka të drejtë që të kthejë mbrapsht dosje për të cilat kanë dyshime se nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret, për të përfituar kredi të butë.

Por deri këtu, pjesa më e madhe e aplikantëve ia dalin të jenë përfitues. Çështja është në bankë, aty ku maksimumi, vetëm 15% e familjeve e përfitojnë kredinë e lehtësuar. “Ngërçi qëndron në faktin se banka nuk jep kredi pa vënë kolateral, në një vlerë më të madhe se sa paratë, një tjetër objekt. Familjet nuk kanë çfarë të vënë kolateral. Nëse familjet që përfitojnë kredi të butë nga shteti, do të kishin kolateral, apo një pasuri tjetër, automatikisht nuk do të bëheshin përfitues të kredive të buta, pas kritereve të vendosura nga kjo kategori. Banka kërkon kolateral nga klienti, i cili nuk ka çfarë të vërë si garanci të shumës që merr. Kjo ka bërë që në fund të kësaj procedure, fituesit të numërohen me gishtat e dorës”, pohuan burimet. 

Listën emërore të 369 familjeve në Durrës që kërkojnë të përfitojnë kredi të buta nga shteti për strehim mund ta lexoni këtu: LISTA

/K.H. portali DurresLajm