Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, tha se që nga tetori i vitit 2025, situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por me potencial që të ketë tensione të reja.
“Ne nuk kemi parë përsëritje të dhunës, siç kemi parë më 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçmas në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të NATO-s dhe partnerëve që kontribuojnë në NATO në Bruksel më 29 prill.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, më 2023, fillimisht në maj, kur serbët lokalë kundërshtuan nisjen e punës të kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri, të cilët u zgjodhën pasi serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet lokale.
Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.
Më herët gjatë këtij viti, shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se ende pret që Serbia të përcaktojë përgjegjësinë për Banjskën.
Ulutash gjatë takimit në Bruksel po ashtu tha se ka nevojë “urgjente për një zgjidhje afatgjatë politike”.
“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fund, stabiliteti varet kur të gjitha palët zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, nuk është ushtarake. KFOR do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces”, tha Ulutash.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011.
Një sërë marrëveshjesh janë arritur përgjatë viteve të dialogut, por shumë nga to nuk janë zbatuar në terren.
Megjithatë, takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte zhvilluar disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje./REL





