Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, bëri të ditur se Shqipëria është cilësuar nga barometri i turizmit i OKB si magnet për turizmin dhe se kryeson sa i takon ritmit të rritjes në këtë sektor.

Duke marrë fjalën në ceremoninë e hapjes së panairit ITB Berlin 2025 ku Shqipëria është vendi i nderit nën sloganin “All Senses”, ai u shpreh se “Shqipëria është vendi partner në ITB dhe ndoshta mund të vendos të shkoj në Shqipëri këtë vit”.

“Do të jenë pushimet e mia të ardhshme. Barometri i turizmit i OKB tregon se Shqipëria është bërë magnet për turizmin dhe po kryeson sa i takon ritmeve të rritjes”, tha Pololikashvili. Ai vlerësoi edhe përpjekjet e Shqipërisë për turizëm të qëndrueshëm.

“Ishte më se e natyrshme që të bëhej pjesë e Këshillit të Turizmit të Qëndrueshëm. Shqipëria thekson angazhimin e saj për të mbrojtur mjedisin duke promovuar turizmin si një faktor kyç i zhvillimit të saj ekonomik”, tha ai.

Më tej, Pololikashvili vuri në dukje se Shqipëria është hapur ndaj botës dhe përpjekjet e saj reflektohen edhe në negociatat e anëtarësimit në BE.

“Duke pasur parasysh progresin me reformat që ka bërë qeveria shqiptare, duke vendosur ritmin në këtë drejtim, i kushton mjaft rëndësi infrastrukturës së mirë dhe investimeve miqësore me mjedisin, proceseve transparente e të rregullta”, deklaroi Pololikashvili. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë shumë përpara, dhe se mbetet ende për t’u bërë.