Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Zoran Vukotiçit, i dyshuar si një nga autorët e krimeve më të mëdha në rajonin e Vushtrrisë.

Ekipi i emisionit “Udhëve” në RTK ka intervistuar disa prej dëshmitarëve të cilët do të dëshmojnë kundër Vukotiçit për krimet që ka kryer ndaj familjarëve të tyre. Por, Vukotiçi është vetëm një nga shumë pjesëtarët e forcave serbe që dyshohen si pjesëmarrës të krimeve në vitet ’98-’99 në Kosovë.

Zoran Vukotiç vitin e kaluar u pat arrestuar në Nikshiq të Malit të Zi e, më pas, bazuar në kërkesën e UNMIK-ut dhe më vonë EULEX-it, ishte ekstraduar për në Kosovë, ku edhe po mbahet në paraburgim. Tashmë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka përfunduar procesin e grumbullimit të provave dhe ndaj Vukotiçit ka ngritur një aktakuzë. Tanimë veç pritet fillimi i procesit gjyqësor kundër tij. Por, Vukotiç nuk kishte vepruar i vetëm në kryerjen e këtyre krimeve.

Atë e kishte përcjellë çdo hap bashkëpunëtori Goroljub Paunoviç, i njohur si postieri vrasës, ku së bashku kanë bërë vrasje të civilëve shqiptarë.

Dhe, ndryshe nga bashkëpunëtori i tij, Goroljub Paunoviç vazhdon të jetojë i lirë në Beograd, pavarësisht faktit se edhe ndaj tij është lëshuar një fletarrestim nga Interpoli.

Ekipi i emisionit “Udhëve” ka biseduar me disa prej dëshmitarëve, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për shkak të mosdëmtimit të procesit kundër Vukotiçit.

Ata kanë rrëfyer se si Vukotiçi dhe Paunoviçi, në praninë e tyre, ua kanë vrarë familjarët.

Vukotiçi e Paunoviçi nuk janë të vetmit që nuk janë ndëshkuar për krimet që kanë kryer gjatë luftës në Kosovë. Në listën e kërkimit të Interpolit figurojnë edhe shumë emra të personave tjerë që nuk janë arrestuar. /rtk/