Të paktën pesë vajza migrante, të gjitha nën moshën 14 vjeç, janë trajtuar gjatë javës së fundit në Spitalin Universitar të Ceutës, në Spanjë, pasi dyshohet se janë sulmuar seksualisht. Autoritetet spanjolle kanë nisur hetime për rastet, ndërsa deri tani nuk ka pasur arrestime.

Sipas burimeve mjekësore dhe raportimeve të mediave të huaja, vajzat kishin mbërritur në Ceuta nga Maroku gjatë fluksit masiv të migrantëve në fund të korrikut. Mjekët kanë raportuar se disa prej tyre kishin dëmtime që përputhen me sulm seksual. Një djalëi mitur, dysohet gjithashtu se mund të jetë viktimë e një sulmi seksual.

Mjekët kanë trajtuar në total më shumë se dhjetë persona me shenja që përputhen me sulm seksual, ndërsa besohet se numri real mund të jetë më i lartë, pasi jo të gjitha viktimat kanë bërë kallëzim. Policia Kombëtare spanjolle ka nisur një hetim për të paktën një rast të dyshuar përdhunimi. Vajza u dërgua në spital, ku u konstatuan dëmtime të dyshimta për sulm seksual. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura rrethanat e plota të ngjarjes. Burime gjyqësore kanë bërë të ditur gjithashtu se disa tentativa për sulme seksuale janë parandaluar nga banorët e zonës, të cilët kanë ndërhyrë në kohë.

Të miturat mbeten pa strehim

Situata është përkeqësuar nga mungesa e vendeve në qendrat e pritjes për të miturit. Mjekja e urgjencës në Spitalin Universitar të Ceutës, Susana Ascaso, ka paralajmëruar se disa vajza të mitura po qëndrojnë në rrugë, pasi qendrat e pritjes nuk kanë më kapacitet. Ajo e ka përshkruar situatën si një katastrofë shëndetësore, duke thënë se urgjenca e spitalit po përballet me një numër shumë të lartë pacientësh, pa pasur rritje të mjaftueshme të stafit dhe burimeve.

Kriza e strehimit është bërë veçanërisht serioze pas fluksit masiv të migrantëve në Ceuta. Rreth 1,100 të mitur ndodheshin në struktura të projektuara fillimisht për rreth 90 persona, ndërsa 1,342 të mitur ishin regjistruar nga autoritetet. Qeveria spanjolle ka planifikuar transferimin e një pjese të tyre drejt Spanjës kontinentale.

Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kanë paralajmëruar se vajzat e mitura që ndodhen vetëm dhe jashtë sistemit të mbrojtjes janë veçanërisht të rrezikuara nga trafikimi, shfrytëzimi seksual dhe forma të tjera abuzimi. Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se identifikimi dhe mbrojtja e vajzave dhe fëmijëve më të vegjël është tashmë një nga prioritetet e tyre, ndërsa hetimet për sulmet e dyshuara vazhdojnë.