Të paktën 36 persona janë lënduar nga një zjarr i madh që përfshiu qytetin e Omišit në Kroaci gjatë mbrëmjes së të enjtes.

Nga të lënduarit, 14 persona janë dërguar në spital, ndërsa pjesa tjetër ka marrë shërbim mjekësor në qendrat shëndetësore dhe janë larguar.

Shtatë pacientë ndodhen në kujdes intensiv dhe raportohet se janë në gjendje kritike, për shkak të djegieve të rënda.

Shumica e të prekurve kanë marrë trajtim për djegie, ndërsa disa të tjerë kanë pasur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit të dendur.

Flakët u përhapën gjatë natës në disa zona, të ndihmuara nga erërat e forta, duke detyruar autoritetet të evakuonin qindra banorë.

Ekipet e zjarrfikësve vijuan përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.