Policia kufitare italiane në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë sekuestruar në Portin e Barit 196 karta identiteti italiane të vjedhura, ndërsa në pranga janë vënë 2 shqiptarë shoferë të një autobusi linje Shqipëri-Itali.

Autobusi pa pasagjerë po udhëtonte nga Bari drejt portit të Durrësit. Kartat e identitetit u gjetën në një vend të fshehur pranë shoferit të izoluar me nastro.

196 kartat italiane të identitetit ishin të bardha të paplotësuar e rezultojnë të jenë vjedhur 4 vite më parë, më dhjetor të 2015 në komunën e Piacenzës.

Dy shoferët shqiptarë kanë rrëfyer se pako me karta u është dorëzuar nga një shtetas italian të cilit nuk i dinë identitetin. Ai i ka paguar 20 euro për dorëzimin e tyre te një person i tretë që i priste në portin e Durrësit.

Ky rrëfim rezulton pak i besueshëm për autoritetet italiane të cilët me urdhër të Prokurorisë së Barit kanë nisur një proces hetimor e dy shoferët shqiptarë janë denoncuar në hetim të lirë.

Sipas autoriteteve italiane, kartat e identitetit autentike të shtetit italian do të shërbenin për tu shfrytëzuar nga organizatat kriminale me aktivitet në trafikun e emigracionit klandestin, ç'ka do të iu sigurnte atyre një përftim me miliona euro.