Finalizohet në Durrës operacioni policor i koduar "Siguracioni", për goditjen e falsifikimit të siguracionit të automjeteve.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës ka prangosur një 21-vjeçar nga Dibra.

Dokumentohen 13 raste të mashtrimit me Policë Sigurimi për automjete të qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri.

NJOFTIMI I POLICISË

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve që udhëtonin nga Bari, Itali për në Shqipëri me automjete dhe kishin prerë siguracion  për automjetet e tyre në portin e Barit, të cilat pas kontrollit nga Policia kishin rezultuar të falsifikuara, referoi materialet në Prokurori dhe regjistroi procedimin penal për zbardhjen e këtyre rasteve.

Pas një hetimi dymujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës finalizoi operacionin policor “Siguracioni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:

F. B., 21 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale "Falsifikimi i letrave me vlerë", "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve".

Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 Siguracione (TPL), në emër të  shoqërive të ndryshme sigurimi,   për automjetet që hyjnë në Shqipëri.

Ndërkohë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.