Shoferi kishte lënë derën e urbanit hapur për shkak të vapës, rrëzohet në rrugë faturino.

Ngjarja e frikshme ka ndodhur paraditen e sotme në linjën e Unazës së Durrësit, në zonën e Ish-Kënetës.

Të pranishmit në vendngjarje tregojnë për “DurrësLajm” se urbani ishte në ecje ndërkohë që dera e parë qëndronte e hapur nga ku edhe ka rënë faturino (femër),  e cila është lënduar në kokë, pa pasoja më të rënda fatmirësisht.

Ambulanca, që sipas qytetarëve ka vonuar të mbërrijë, ka dërguar në spital të plagosurën për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Ndërsa policia ka bllokuar automjetin e transportit publik si dhe ka ndaluar shoferin, i cili njihet në rrethin shoqëror si “Kinezi”.

Edhe pse Këshilli Bashkiak votoi pro rritjes së çmimit të biletës nga 300 në 400 lekë, pasi do të investohej në mirëmbajtjen e tyre, autobusët e Durrësit që qarkullojnë nëpër qytet vijojnë të mbeten makthi i përdoruesve sidomos në stinën e nxehtë të verës!