Një krim në familje ka tronditur qytetin e Durrësit mesditën e sotme, kur burri vrau gruan me levë brenda dyqanit të tyre. Ruzhdi Tasuni 63 vjeç vrau Hajdie Tasunin 59 vjeçe pas një konflikti të ashpër mes tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:35 në lagjen nr. 12 në dyqanin e metrazheve në pronësi të familjes, ku çifti fillimisht ka debatuar, por situata ka agravuar dhe burri e qëlloi disa herë me levë gruan duke e lënë të vdekur në vend.

63-vjeçari pas vrasjes ka ulur qepenin duke njoftuar vetë policinë, duke u thënë “Ejani se kam vrarë gruan”. Pyetjes së policisë së “ku ndodhej”, autori i është përgjigjur: “Para dyqanit po ju pres”.

Kur ka shkuar policia ai i ka dorëzuar çelësat e qepenit dhe të dyqanit. Teksa e shoqëronin në polici dhe e pyetën se përse e vrave gruan, autori është shprehur se “ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava”.

Çifti ka tre vajza, njiheshin si të qetë dhe pa probleme, ndërsa prej disa vitesh kishin biznesin e tyre pranë pallatit të portit.