Policia ka arrestuar  pak çaste më parë personin e dyshuar për ngjarjen e shpërthimit në katin e dytë të një banese në zonën e  “Vasil Shantos”.  Në pranga ka përfunduar Arben Bardhi. Ai u arrestua në qytetin e Lezhës. Shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë një konflikt pronësie në lidhje me banesën së cilës iu vendos tritoli.

Policia thotë se ky shtetas mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:10, në rrugën “Mihal Popa”, dyshohet të ketë vendosur në derën e jashtme të banesës së një shtetasi një sasi lënde plasëse nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Po sipas të njëjtave burime, Bardhi e ka lënë kolateral në bankë banesën në fjalë, e cila i është sekuestruar pasi nuk e ka shlyer kredinë. Sipas procedurave, banka e ka nxjerrë apartamentin në shitje, i cili është blerë më pas nga Vasillaq Stavri, por autori i dyshuar nuk e njeh këtë akt shitje, duke patur ende pretendime mbi pronësinë e banesës.

Shpërthimi në katin e dytë të pallatit, shkaktoi panik të banorët ndërsa dëme materiale u regjistruan edhe në katin e tretë. Forca shpërthyese e eksplozivit dëmtoi dyert e apartamentit në katin sipër, të cilat mbeten të mbyllura.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.