Shkatërrohet një grup që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë, duke çuar në arrestimin e gjashtë shqiptarëve dhe një greku.

Bëhet fjalë për persona që trafikonin kokainë, heroinë dhe marijuanë nga Shqipëria drejt shtetit fqinj.

Operacioni u zhvillua gjatë orëve të fundit në Selanik, duke arrestuar të dyshuarit me moshë nga 19 deri në 49 vjeç, ku kreu i bandës ishte një shqiptar i moshës 41-vjeçare.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 9 kilogramë e 145 gramë marijuanë; 6 kilogramë e 306 gramë heroinë; 94 gramë kokainë; 2 kilogramë e 180 gramë përzierës; një pistoletë me krehër me 7 fishekë; 5 fishekë të tjerë; një peshore për lëndën narkotike si dhe disa celularë.

Të dyshuarve iu gjetën edhe 4500 euro, të cilat dyshohet se janë fryt i aktivitetit të jashtëligjshëm.