Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Ritvan Zykajn, autorin e masakrës së Selenicës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 8 persona vitin e kaluar.

Prokuroria e Vlorës mbylli hetimet dhe dorëzoi në Gjykatë kërkesën për gjykim, më datë 8 janar të këtij viti. Hetimet janë ndjekur nga prokurori Saimir Smaka.

Për ngjarjen në fjalë, ndaj autorit nuk kishte gjykim të shkurtuar, i cili nuk parashikohet më në ligj, i ndryshuar në Kod prej vitit 2017, në rastet e kryerjes së Krimeve të Rënda. Për këtë ngjarje, ligji e parashikon dënimin me jo më pak se 35 vjet burg, deri në burgim të përjetshëm.

Referuar faktit se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale, dënimi që kërkoi akuza ndaj Zykajt është ai i burgimit përjetë.

Si ndodhi ngjarja

Masakra e Selenicës ndodhi në datë 10 gusht të 2018-ës në fshatin Resulaj të Selenicës, ndërsa Ritvan Zykaj vrau me armë zjarri tetë persona, të afërm të tij, nga të cilët dy të mitur. Demir Zykaj 76 vjeç, Perri Zykaj 76-vjeç ; Besim Zykaj 45-vjeç (i biri), Vasilika Zykaj 40 vjeç (bashkëshorte e Besimit), Sara Zykaj 17 vjeçe (vajza e Besimit) Ledion Zykaj 6 vjeç (djali i Besimit); Azem Zykaj 49 vjeç (i biri), Afërdita Zykaj 47-vjeç (bashkëshorte e Azemit), ishin 8 personat që u vranë nga dora e Ritvan Zykajt.

Pasi kreu masakrën, Zykaj u arratis në fshat duke u kapur nga policia vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të 11 gushtit. Gjatë arratisë nisi komunikimet në rrjetin social “Facebook” madje sfidoi hapur edhe policinë, duke shënuar një precedent të rrallë. Edhe pas arrestimit, siç blutë e Vlorës konfirmojnë, autori i krimit nuk ka shfaqur pendesë. Pranoi krimin e kryer për shkak se sipas tij, e kishin akuzuar për vjedhjen e disa pulave. Më tej, ai kërkoi një avokat.

Autori i krimit të 8-fishtë, Ritvan Zykaj, menjëherë pas vrasjes kishte vënë në dijeni kushëririn e tij, duke i dërguar si provë një video, ku ka filmuar një nga një viktimat dhe ia ka dërguar djalit të hallës në “Facebook Messenger”.

Ai nga frika e ka fshirë videon menjëherë sapo e ka parë. I terrorizuar i ka thënë nënës së tij se çfarë kishte ndodhur. Mësohet se autori nuk i ka shkruar asgjë. Olardio Hoxha, 19-vjeçar, i ka treguar të gjitha këto në Polici, pasi ka qenë i pranishëm edhe ai me të ëmën te dreka ku ndodhej autori para krimit bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, aty ku mësohet të jetë akuzuar “si hajdut pulash” nga njëra prej grave të familjes Zykaj, që më pas e vrau bashkë me 7 të tjerët.