Pak pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Krastë të Bulqizës, ku një person qëlloi me armë zjarri në drejtim të një banese e për pasojë mbeti i plagosur një fëmijë, uniformat blu të Bulqizës kanë arrestuar autorin e ngjarjes dhe sekuestruar armën e krimit, një kallashnikov.

"Me datë 19.06.2019, rreth orës  01:15, është marrë informacion, se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal, mes shtetasve J. K., H. Rr. dhe Sh. P, shtetasi  J. K,  është larguar nga lokali dhe dyshohet se ka marrë një  armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të banesës të shtetasit H. Rr,  ku për pasojë ka mbetur i plagosur një fëmijë i mitur, i cili po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë", njofton policia.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Bulqizës, në orët e mëngjesit, është bërë kapja e autorit të ngjarjes shtetasit J. K., 27 vjeç, banues në Krastë, si dhe sekuestrimi i armës së krimit.

Grupi hetimor vijon hetimet në vendngjarje.