Një 41-vjeçar është plagosur me armë zjarri në Bulqizë. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në një lokal, pas një konflikti.

Policia thotë se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, një 31-vjeçar me precedent kriminal, si dhe bashkëpunëtorin e tij.

"Rreth orës 02.40  në ambientet e një lokali në qytetin e Bulqizës, gjatë një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri shtetasi V.A,  41 vjeç, banues në Bulqizë, i cili ndodhet në spital aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore të kryera nga ekspert të Policisë ka rezultuar se autori i kësaj ngjarje është shtetasi I.D, 31 vjeç, banues në Bulqizë ( person me precedent  kriminal), i cili është larguar nga vendngjarja së bashku me shtetasin D.S. 24 vjeç", njofton policia.

Policia e Bulqizës në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit në  DVP Dibër, po krehin zonën për kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.

Vijon puna nga grupi hetimor, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.