Policia ka arrestuar një 25-vjeçar pasi është kapur duke vendosur baste sportive me anë të një celulari në lokalin në përdorim të tij në fshatin Barç të Korçës.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijojnë kontrollet për evindentimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të cilët ushtrojnë aktivitetin e kundraligjshëm të lojërave të fatit.

Policia arreston në flagrancë një shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

• H. Xh., 25 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë.

Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në lokalin në përdorim të tij në fshatin Barç, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon celular tip “Samsung Galaxy A6”, i cili përdorej nga ky shtetas, për vendosjen e basteve sportive.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.