Gjatë karantinimit 40 orësh ndërsa qytetarët janë të mbyllur në shtëpi, në Durrës hajdutët vijojnë aktivitetin e tyre normalisht.

“DurrësLajm” mëson se tre kioska janë vjedhur gjatë natës. Një prej tyre është kioska pas pallatit të kulturës pranë ish-dyqanit të luleve.

Burimet thonë se hajdutët kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme cigaresh me vlerë rreth 500 mijë lekë të vjetra.

Kujtojmë se kioska në fjalë ra pre e hajdutëve në nëntor të vitit 2018,së bashku me disa biznese të tjera përgjatë bulevardit “Dyrrah”.

Redaksia jonë kontaktoi me burimet zyrtare të Policisë së Durrësit por deri më tani nuk janë konfirmuar vjedhjet në fjalë.

Karantinimi brenda i qytetarëve duket se ka favorizuar hajdutët të zhvillojnë të pashqetësuar aktivitetin e tyre.

Ndërsa bizneset po regjistrojnë humbje të shumta për shkak të masave drastike dhe kufizimit të lëvizjes, ata kërkojnë një angazhim më te madh nga forcat e rendit për të evituar vjedhje të tjera në ditët në vijim.