Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka inspektuar sot në terren zonën ku po realizohen punimet për ndërtimin e një lagje të re në Ishëm, për të dëmtuarit nga tërmeti.
“Gjatë inspektimit të punimeve në zonën ku do të ndërtohet një lagje e re në Ishëm.
Në këtë terren, shoqata Rrënjë Shqiptare do të ndërtojë 44 banesa, një bibliotekë dhe njësi të tjera shërbimi. Një lagje moderne për familjet e dëmtuara nga tërmeti që do të jetojnë në shtëpi të reja dhe shumë më të sigurta se ato që kanë patur”,– shkruan kryebashkiakja në rrjete sociale.
Më datë 9 maj, bashkia e Durrësit njoftoi se kishte nisur puna për sistemimin e terrenit, ku do të ndërtohen 44 shtëpi nga shoqata “Rrënjë shqiptare”.
Në fotot që shoqëronin fillimin e punimeve, bashkia kishte përfshirë edhe foto nga projekti përfundimtar, si pritet të jetë pamja finale që do të marrë kjo zonë pas realizimit të të gjithë investimit.





