Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi prezantoi sot Ekipin e Gjeneratës për Ndryshim, duke u shprehur e bindur se forca politike që ajo drejton do të riformatohet dhe modernizohet nga GEN.
Në fjalën e mbajtur Kryemadhi u shpreh se mirëpret angazhimin e të rinjve për ta çuar përpara betejën për delegim të sovranitetit te populli, duke theksuar rëndësinë e sfidimit që i duhet bërë sistemit dhe klasës politike.
“GEN. Ekipi i Gjeneratës për Ndryshim, më pëlqen tejmase ky emër që e keni quajtur ekipin tuaj. Kur më erdhi njoftimi juaj që më shpjegonte se çfarë kishte ndodhur, si e keni ideuar dhe hapat që keni ndërmarrë, e kam vlerësuar si aktivitetin politik më të rëndësishëm që është zhvilluar ndonjëherë brenda LSI-së në këto dy dekada. Ne vijmë sot pas zgjedhjeve të 25 prillit. Kontributi i shumë prej jush që kanë qenë kandidatë në qarqet e Shqipërisë ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe unë ju përulem me mirënjohje që keni përfaqësuar vlerat më të mira të gjeneratës suaj duke e bërë ofertën e LSI shumë herë më vlefshme”, tha Kryemadhi.
“Do të ndjek me shumë vëmendje të gjithë punimet e GEN, me premtimin për të qëndruar e hapur dhe mikpritëse e platformës që ju do hartoni në konsultim me strukturat e partisë, shoqërisë civile dhe me intelektualë e profesionistë të gjeneratës tuaj jashtë partisë. Jam e bindur se produkti që GEN do të sjellë do të mundësojë që LSI të riformatohet dhe ridimensionohet, për të qenë vërtetë një forcë politike e gjeneratës së fundit”, vijoi kryetarja e LSI.