Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është sulmuar me mjete piroteknike gjatë një takimi në Skënderaj, pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit. Mediat në Kosovë raportojnë se gjatë përpjekjeve të Kurtit për të hyrë në sallën ku do të mbahej tubimi, u hodhën fishekzjarre dhe mjete piroteknike në drejtim të tij.
Gjithashtu mësohet se truprojat e Kurtit kanë reaguar menjëherë, duke e mbuluar atë dhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes me çadra për të siguruar sigurinë e tyre. Nga kjo ngjarej nuk ka raporte për lëndime, por incidenti ka shkaktuar tension në vendndodhjen e tubimit.
Ndërkohë, para pak minutash, në afërsi të vendit ku po mbahej tubimi, janë dëgjuar dhjetëra simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke brohoritur “Na jena PDK, Thaçi – Thaçi” dhe “Albin hajni”. Nga aty janë dëgjuar edhe thirrjet “Zdravo”, të cilat lidhen me audio-regjistrimin e fundit të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari me organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiç.