Nga Aulona Musta
Këtë javë ka ndodhur një ngjarje që më ka shqetësuar shumë: një pedofil 70-vjeçar puth me dhunë një vajzë të mitur në një supermarket. Ngjarja nuk është “lajm nga bota”, por ka ndodhur në vendin tonë, në Himarë. E theksoj këtë për të gjithë ata që kur dëgjojnë lajme të tilla shpesh ngushëllohen kur mësojnë se ka ndodhur në ndonjë vend të huaj, diku larg nesh. Pedofilia vazhdon ende të jetë një temë tabu, një temë për të cilën flitet në media, por nuk flitet në familje, atje ku duhet të jetë baza e çdo komunikimi dhe informimi për gjëra që janë jetike, siç është edhe mbrojtja ndaj pedofilisë. Për fat të keq, kjo është një temë që e kam prekur edhe herë të tjera, ashtu siç me keqardhje e them se jam e bindur që do t’i kthehem edhe në të ardhmen. Pedofilia ligjërisht është krim, por në të njëjtën kohë është edhe sëmundje. Ajo ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë. Për këtë asnjëri nga ne nuk bën dot gjë. Ajo që ne kemi në dorë është ta parandalojmë sa më shumë të jetë e mundur këtë fenomen, duke folur sa më shumë për të, sidomos me fëmijët, e duke izoluar dhe ndëshkuar ato raste pedofilie që evidentohen e për më tepër denoncohen.
Fatkeqësia jonë më e madhe është që ne nuk bëjmë as njërën, as tjetrën. Vazhdon të ketë ende shumë ndrojtje nga ana e prindërve që të flasin me fëmijët e tyre për këtë çështje. Disa mendojnë se fëmijët e tyre janë të vegjël dhe nuk do të kuptojnë. Disa të tjerë e shohin si një temë tabu, për të cilën nuk flitet me fëmijët. Të tjerët kanë turp dhe nuk e gjejnë asnjëherë momentin e duhur për të folur. E po ashtu është edhe kategoria e atyre që nuk e shohin si një problem real ose që mund t’i prekë ata drejtpërsëdrejti dhe prandaj e anashkalojnë.
Sa e gabuar! Asnjë fëmijë nuk është imun ndaj pedofilisë. Hiqeni nga mendja këtë! Sa e sa raste na kanë treguar se pedofili mund të jetë edhe brenda në shtëpi, mund të jetë kushëriri apo miku i besuar i familjes. Mund të jetë mësuesi, komshiu, shitësi i dyqanit, mjeku, shoferi i familjes. Mund të jetë kushdo. Dhe më besoni, pedofilët dinë si të maskojnë më së miri veten e tyre dhe të bëjnë që askush mos të ketë as dyshimin më të vogël për ta. Madje, në shumë raste, ata janë njerëz të nderuar dhe të respektuar nga shoqëria. Prandaj vigjilenca duhet të jetë gjithmonë e madhe dhe mbi të gjitha nuk duhet të mungojë në asnjë moment komunikimi me fëmijët tuaj, sado të vegjël të jenë. Flisni me ta, thojini që nuk duhet të lënë asnjë njeri të panjohur t’u afrohet më shumë se ç’duhet e jo më t’u flasë apo prekë. Theksojani përditë, nga dy herë në ditë, që nuk duhet t’u flasin kurrë të panjohurve. S’ka gjë, le të tregohen fëmijë të pasjellshëm. Thojuni që në pjesët intime dhe në buzë nuk ka të drejtë t’i prekë e t’i puthë askush. Tregojuni se cilat janë pjesët intime. Mos kini turp! Nuk do t’u vijë e keqja nga e folura me ju. Prej saj vetëm të mira mund t’u vijnë. Duke folur me fëmijën tuaj për pedofilinë ju e mbroni atë. Bindeni që ju do të jeni gjithmonë në anën e tij/saj dhe se sa herë të shohë diçka që nuk shkon në sjelljen e një të rrituri ndaj tij/saj duhet t’jua thotë menjëherë.
Një fëmijë që bëhet viktimë e një akti pedofilie do të shënjohet për gjithë jetën, fizikisht, mendërisht e shpirtërisht. Bëhuni ju shpëtimtari i fëmijës tuaj!
Nuk mund të rri pa shprehur edhe revoltën e madhe për lajmin se 70-vjeçari, i cili u filmua nga kamerat e supermarketit duke puthur në buzë me forcë vajzën 11-vjeçare, sot është në gjendje të lirë. Edhe pse ndaj tij kishte dy denoncime nga ana e vajzës dhe e pronarëve të supermarketit, gjyqtari mendoi t’i japë vetëm arrest shtëpie. Që do të thotë, një pedofili me prova dhe fakte, një njeriu të rrezikshëm për fëmijët, i është dhënë “leja” për të ushtruar sërish “pasionin” e tij. Që nesër, kur të ndalojë sërish në ndonjë supermarket, të bëjë viktimën e radhës. Po sikur viktima të jetë fëmija apo nipi, mbesa e këtij gjyqtari? Mbase atëherë drejtësia do të vihej në vend – do të ishte mendimi i shumicës.
Marrë nga blogu personal i Aulona Mustës