Tjetër vlerë për organizatorët e turneut me emrin nostalgjik Mustafa Hajdari. Inspektori i sporteve në Bashkinë e Durrësit Edmond Zalla, në bashkëpunimin me Zyrën Rajonale të Futbollit që drejtohet nga Edmond Zalla dhe akademinë e futbollit të klubit Teuta me drejtor Haxhi Ballgjinin, kanë realizuar nga veprimtaritë më pikante të kujtimit të figurave të spikatura të futbollit durrsak në vite.

Nismë kjo për t’u përshëndetur, pasi kujton dhe evidenton kapitujt më të të ndjerë të futbollit të Durrësit, por edhe ia prezanton brezave më të rinj të futbollit. Në njërën prej pasditeve të nxehta të kësaj vere, në aneksin e stadiumit Niko Dovana katër ekipe moshash për U-17, u ndeshën ndërmjet tyre për të fituar “Mustafa Hajdarin”.

Ai erdhi enkas nga Austria ku qendron së bashku me të birin, futbollist i spikatur i Lokomotivës së viteve 80-të Il Hajdari, duke u çmallur me miqtë dhe shokët e sportit si Sul Maliqati, Petraq Ikonomi, Feti Golashi, Mustafa Saraçi, Orest Grami dhe më të rinjtë Niko Jani, Vladimir Ajazi, Haxhi Ballgjini, Lut Sejdini, etj. Kujtime të spikatura për kohën e rinisë së tyre, por kur Bratja shkruante historinë e spikatur të futbollit durrsak.

I datëlindjes 1923, Mustafa Hajdari ndonëse në  moshën 89 vjeçare u duk shumë i ri në atë ditë vere, ndërsa temperaturat e larta zbuteshin nga freskia e kujtimeve të bukura dhe emocionuese të futbollit në vite. Bratja! Shumë i fuqishëm lakohet kjo”nofkë” edhe tani. Edhe për këtë ka një histori. Brezi i vjetër i durrsakëve, gjithnjë kanë dëshirë ta thërrasin Mustafa Hajdarin me emrin e dytë që fitoi një popullaritet të pazakontë:Bratja. Bratja në gjuhën serbe kroate do të thotë vëlla.

Në një turne ballkanik në fundin e viteve 40-të, me lojën e tij Mustafa Hajdari me origjinë nga këto treva, për lojën e shkëlqyer që zhvilloi fitoi simpatinë e tifozërisë vendase të cilët e thërritnin në kor: Brate, Brate. Shatlartë dhe i pashëm, Bratja mbetet kujtimi më i mirë i asaj çka bëri në dobi të futbollit durrsak dhe atij shqiptar.

E nisi rrugën sportive në vitin 1939, kur ishte 16 vjeç dhe u largua nga fusha e blertë e futbollit në vitin 1958. Karriera e tij zgjati 20 vite, për t’u fiksuar në mënyrë të përjetshme në historinë e bukur dhe tërheqëse të futbollit durrsak. Qendërmbrojtësi durrsak Mustafa Hajdari e pasuroi karrierën e tij me klubet më të fuqishme të kohës si Partizani, Vllaznia, Dinamo, Tirana duke iu çmuar meritat deri në ekipin përfaqësues të Shqipërisë.

Për të kuptuar fuqinë dhe forcën shpërthyese të talentit të tij, mjafton të përmëndim se ai luajti me autoritet përkrah figurave legjendare të futbollit shqiptar si Loro Boriçi, Vasip Biçaku, Qemil Teliti, Zyber Lisi, Xhavit Demneri etj. Rrugën e të jatit e ndoqi edhe i biri Il Hajdari, që edhe ai kujtohet për talentin dhe performancën origjinale.

Në antitezë me të jatin Ili luajti si sulmues, ku spikati për lojën luftarake, gjuajtjen e fortë, shpërthimet elegante dhe golat e veçantë që i dërgonte në rrjetat e portjerëve. Ekipi tiranas FC Term fitoi trofeun me emrin e të famshmit futbollist Mustafa Hajdari. Ky ekip që drejtohet nga Luan Pinari dhe Albert Duro, mundi fillimisht ekipin Adriatik Sport me trajner Mikel Furrxhiun dhe në finale Shkëndinë e Durrësit 2-1.

Teuta e Lut Sejdinin humbi me 11-të metërsha me Shkëndinë D që drejtohet nga Alfons Domi. Aktiviteti u kthye në bashkëpunim vlerash ndërmjet ekipeve të 17-të vjeçarëve, por edhe në njohjen e dukurive të veçanta historike të futbollit durrsak, nëpërmjet figurash të tilla të paharruara si Mustafa Hajdari.