KUKES– Reshjet e dëborës që po vazhdojnë pa ndërprerje kanë bërë që institucionet ne qarkun e Kukesit të marrin masa të gjithanshme për përballimin e situatave që mund të krijohen. Sipas prefektit të qarkut, Elez Maci, trashësia e dëborës në zonat rurale ka arritur në mbi 30 centimetra, ndërsa vëmendja është përqëndruar në akset rrugore nacionale ku për momentin po punojnë 20 mjete borëpastruese. Sipas tij, problematike paraqitet situata te një pjesë e godinave arsimore të disa njësive vendore, të cilat nuk disponojnë sasinë e duhur të lëndës djegëse. 

Ndërkohë, autostrada vazhdon të jetë normalisht e kalueshme nga të gjitha automjetet, ndërsa 5 borëpastruese vazhdojnë punën për mbajtjen e saj hapur në kushtet kur reshjet e dëborës vazhdojnë pa ndërprerje. 

Pas reshjeve të dendura të dëborës, mbetet e izoluar e gjithë komuna Arrën dhe pjesërisht komuna e Zapodit. Ndërkohë, problem paraqiten te komunikimi i fshatrave të thella me njëri-tjetrin për shkak të dëborës së dendur dhe pamundësisë së pushtetit lokal për t’i mbajtur hapur këto akse rrugore. Pa energji elektrike vazhdojnë të jenë disa fshatra të komunave Shtiqën, Bicaj, Malzi në rrethin e Kukësit.