Pas barazimit në Shkodër ndaj Vllaznisë te Kukësi kanë nisur të mendojnë menjëherë për sfidën e radhës në kampionat. Në javën e dytë verlindorët do të kenë përballë Teutën sfidë që do të zhvillohet të hënën në orën 16:00 në stadiumin Zeqir Ymeri. Meqënse dita e hënë përkon edhe me festën e Kurban Bajramit presidenca kukësiane ka vendosur të hapë dyert e Zeqir Ymerit për të gjithë tifozët e Kukësit të cilët mund ta ndjekin këtë sfidë falas dhe pa biletë. Edhe përgjatë sezonit të kaluar klubi i Kukësit shpeshherë ka hapur dyert e stadiumit për tifozët në mënyrë që këta të fundit të jenë sa më të shumtë në numër në mbështetje të skuadrës. Ndërkohë në stadiumin Zeqir Ymeri pas disa problemeve që janë shfaqur në fund të sezonit të kaluar, janë bërë rregullimet e nevojshme në ambientet e brendshme dhe ky impiant është gati për të pritur sfidat e sezonit të ri të kategorisë Superiore. Pas triumfit në Superkupë ndaj Skëndërbeut, skuadra e Ernest Gjokës barazoi pa gola në Loro Borici ndaj Vllaznisë duke marrë vetëm një pikë në premierën e kampionatit. Fitoren e parë verilindorët do ta kërkojnë të hënën ndaj Teutës dhe me mbështetjen e fuqishme të publikut të tyre shpresojnë tia dalin. Misioni nuk do të jetë i lehtë por as i pamundur. Objekitvi kryesor i Kukësit në këtë sezon është fitimi i titullit kampion, por për ta realizuar dicka të tillë ekipi i Ernest Gjokës duhet të lërë sa më pak pikë rrugës.





