31 korrik 2015 – Ëndrra e Kukësit kthehet në një mankth europian. Për faj të personave të papërgjegjshëm, nënkampionët e vendit ndoshta duhet të përballen me sanksionet e UEFA-s pasi ndeshja e Europa League kundër Legias së Varshavës u ndërpre përfundimisht në minutën e 52-të për shkak të një sendi të fortë të hedhur në fushën e lojës nga tifozët në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”. Gjestet e huliganizmit të frymëzuara nga tifozët polakë u kopjuan nga shqiptarët që tentuan të sulmonin nga shkallët lojtarët miq. Goli i dytë i Legias bëri që stadiumi të ndizej edhe më shumë pas shkëndijave të dhëna në pushimin e pjesë së parë ku polakët tentuan të çanin kordonin duke krijuar trazira. Një send i fortë i lëshuar nga shkallët preku një prej lojtarëve të skuadrës mike.

Fillimisht trajneri Henning Berg tërhoqi skuadrën nga fusha e lojës dhe më pas gjyqtari Stephan Klossner vendosi ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes duke thirrur në dhomat e zhveshjes dy kapitenët e skuadrave. Pas një bisede të gjatë mes gjyqtarit zvicerian dhe lojtarëve që përfaqësonin klubet, shefin e sigurisë së Kukësit dhe drejtuesin e stadiumit Eduart Prodani, shefi i sigurisë së UEFA-s vendosi që ndeshja të ndërpritej përfundimisht, duke i dhënë fund teorikisht ëndrrës së skuadrës verilindore.

Por përplasja mes tifozerive kishte nisur që para fillimit të ndeshjes. Në sheshin para stadiumit, "Plisat" e Prishtinës dhe tifozë polakë u përleshën fizikisht me njëri-tjetrin. Tani Kukësi rrezikon ta humbasë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 0-3.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/