Kategoria Superiore është pushim, meqë në “skenë” i duhet të ngjitet kombëtarja. De Biazi dhe kuqezinjtë do të luajnë më 24 mars kualifikuesen e radhës në Grupin G, kundër Italisë, në Palermo, ndërsa më 28 mars do të ballafqohen me boshnjakët, në “Elbasan Arena”, një sfidë miqësore kjo. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë pushim për FSHF-në, që të premten ka vendosur të hedhë shortin e Gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.

Kjo do të ndodhë pikërisht një ditë para ndeshjes me Italinë, në orën 11:00, në sallën e konferencave për shtyp të FSHF-së. Të pranishëm do të jenë përfaqësuesit e katër skuadrave gjysmëfinaliste; Skënderbeu, Tirana, Teuta dhe Besëlidhja. Shorti do të jetë i lirë. Kujtojmë se datat e ndeshjeve gjysmëfinale të këtij kompeticioni janë më 5 prill (vajtje) dhe 19 prill (kthimi).