Shkëlqen notari i Teutës Kledi Kadiu që vendosi rekordin e aktivitetit

I papërmbajtur trajneri i njohur i notit durrsak, nga specialistët më në zë të tij Shpëtim Damini. Dhe kishte të drejtë. Në turneun ndërkombëtar të notit zhvilluar në qytetin Selanik të Greqisë nga 19-20 maj, mori pjesë edhe një grup notarësh të Teutës të përbërë nga Kledi Kadiu, Aleksandër Ngresi, Frenc Bërdaku dhe Roni Mujali. Konkurimi ishte përcaktuar që më parë që do të bëhej nga mosha 9-12 vjeç. Por ajo që e gëzoi këtë pjesë të Durrësit që ishin të pranishëm në Selanik, ishte notimi i shkëlqyer i notarit të Teutës Kledi Kadiu. I lindur me 28 tetor 2003, ky vogëlush ia zbardhi faqen notit durrsak në konkurrimin e 50 metrave stil i lirë. Ndër 45 notarë konkurrues nga Greqia, Bullgaria, Serbia, Rumania, Maqedonia etj. Kledi Kadiu në sajë të një starti mjaft të mirë dhe zhvillimit me shpejtësi të garës arriti të dalë i pari.

Koha e tij është 36”92. Notari që zuri vendin e 45-të greku Nikolaos fiksoi kohën 1’:00.63. Dhe të vjen mirë që Kadiu ynë, me përvojë të pakët të takimeve ndërkombëtare, shkëlqeu në Selanik duke demonstruar krahas talentit të tij në zhvillim edhe shkallën inkurajuese të profesionalizmit të trajnerit me përvojë Shpëtim Damini. Presidenti i turneut ndërkombëtar George Papalias, i dorëzoi notarit durrsak Kledi Kadiu certifikatën, medaljen dhe kupën e vendit të parë. “Ajo që na gëzon më shumë, thotë trajneri Shpëtim Damini, është se Kledia Kadiu vendosi edhe rekordin e këtij aktiviteti të rëndësishëm ballkanik, pasi është i pari që e fiksoi këtë kohë mjaft të mirë. Kam besim se edhe në turnetë e tjera në vijim, ky notar do të jetë mburrja e notit shqiptar dhe atij durrsak”. Krahas Kledit, paraqitje të mirë bënë edhe notarët e tjerë të Teutës si Ngresi, Bërdaku, Mujali dhe Elezi.