Nga Mentor Kikia

Me shpresën se do të gjeja një makinë me çmim të përballueshëm, u interesova në një konçensionar për makinat e përdorura. Me “ngelën” sytë tek një rrjesht veturash..

-Të përdorura janë, por janë shumë të shtrenjta akoma, pasi pak vite kanë punuar- më tha menaxheri.

-Po pse i kanë kthyer?

-Janë kryesisht makina institucionesh. Kur ndërrohen drejtuesit, të rinjë nuk duan të mbajnë makinën që ka patur parardhësi, kështu që i sjellin, sipas kontratës së blerjes, shtojnë edhe ca para e marin të reja.

D.m.th, një drejtor i sapoemëruar, punën e parë që ka bërë, ka ndërruar makinën. Edhe pse e re, ai nuk preferon atë që ka përdorur paradhërsi/ja. Por harxhon sërish para, nga të shtetit kuptohet, për një makinë në sqese, siç i thonë.

D.m.th, ata njerëzit që digjen brenda një autobuzi pa kondicioner, e që kutërbon era qen, si qentë e kazanëve jo ata që mbahen në shtëpi, pra me taksat e këtyre njerëzve zyrtarët kanë ndërruar makinat vetëm sepse aty ishte ulur dikush tjetër më përpara.
Këtu nuk bëhet fjalë për korrupsion, pasi ai nuk do ta marrë me vete makinën kur të ikë. Por bëhet fjalë për një gjë edhe më të rëndë.

Populli i thotë tangërllëk!

Por zyrtarisht quhet papërgjegjshmëri, makutëri, babëzi. Njerëz të votuar apo të emëruar për të drejtuar institucione, nuk kanë asnjë ambicje për të shërbyer e punuar. Nuk kanë asnjë fije idealizmi për të lënë gjurmë me punën që kanë bërë. Por duan të krekosen me makinat dhe mobilimin e ri të zyrave.

Hajdutë dhe bij hajdutësh, vihen në garë mes tyre kush ka makinën më të mirë, të blerë me paratë e taksave tona.
Dhe janë këta, që në fushata dalin arave e përqafojnë njerëz të djegur nga dielli që punojnë. Janë këta që flasin në emër të popullit, në emër të qytetarëve dhe punëtorëve, fermerëve dhe ndërtuesve. Janë këta që digjen e përbetohen për atdhe e për flamur.

Po, janë pikërisht këta që nuk kanë asnjë skrupull. Këta që atij fshatarit edhe taksën e kokrrës së vezës ia kthejnë në luks për vetën e tyre. Këta që nuk kanë ansjë lloj ideali për atdhe e për popull. Këta, që edhe flamurin e përdorin si beze për të mbuluar shëmtinë e tyre.

Për 30 vjet shqiptarët kanë votuar e ushqyer me djersën dhe gjakun e tyre këto ushunjëza pa asnjë pikë morali.

p.s: fotoja eshte shoqeruese