· Blofi me Merkelin dhe Ramën/ Disa paqartësi në shkrimin e së përditshmes “Handelsblatt”, që është më tepër një shantazh në favor të koncesionarit në Terminalin Lindor
· Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës edhe Autoriteti Portual Durrës: Për aktivitetet stivadore që EMS APO është përpjekur të ushtrojë në mënyrë të paligjshme, duke krijuar konflikte edhe fizike me kompanitë e licencuara, sipas nenit 3.1.2 të kësaj kontrate koncesionare, kërkohet licencim i posaçëm, pasi EMS të plotësojë dokumentacionin e kërkuar
NGA THANAS MUSTAQI
DURRËS, 28 qershor 2015 – Licencimi apo mos-licencimi për ngarkim shkarkim anijesh dhe vagonësh në koncesionin gjerman të Terminalit Lindor të portit ka marrë dhenë. “Nuk ka ryshfet, nuk ka leje” (Kein Schmiergeld, keine Genehmigung), titull mjaft intrigues për të diskretituar “praktikat e biznesit në Shqipëri” (Geschäftspraktiken in Albanien), që u botua më 19 qershor 2015 nga e përditshmja më e madhe gjermane e biznesit “Handelsblatt”. Dhe si për ta bërë më “të shitshëm” argumentin, autori turko-gjerman Ozan Demirxhan (Demircan), gazetar i vitit 2013 në Gjermani, në somario fut dhe një “pikante: Shqipëria dëshiron të bëhet kandidate për në BE – muajin tjetër vjen Kancelarja [gjermane Merkel] për vizitë” (Pikant: Albanien will EU-Kandidat werden – nächsten Monat kommt die Kanzlerin zu Besuch).
Depërtimi në “pushtetin e katërt”
Në prag të zgjedhjeve administrative në Shqipëri, kjo diaporamë (shkrim i shoqëruar me slideshow & video) u projektua si goditje elegante, por dërmuese, ndaj qeverisë, pasi mediet on-line dhe të shtypura shqiptare nxituan ta përkthenin scoop-in. Menaxheri i koncesionit gjerman të Terminalit Lindor “EMS APO” Durrës Manfred Myler (Mueller) korri kështu fitore, teksa arriti të depërtojë në “pushtetin e katërt” të të dy vendeve. Iu bë jehonë deklarimeve të tij të bujshme. Myler-i citohet të ketë thënë se ai telefonoi ambasadorin gjerman, për të folur me kryeministrin Edi Rama, që të urdhërojë tërheqjen e pushtuesve.
Miqësia Berlin-Tiranë
Ka një të vërtetë, lidhur me angazhimin diplomatik. Sikurse ka njoftuar dhe agjencia e lajmeve “Dyrrah”, më 6 qershor 2015, në port ka mbërritur për një vizitë zëvendës-ambasadorja gjermane Anke Olshtajn (Holstein), drejtuese e sektorit ekonomik. I pyetur nga “Dyrrah”-u lidhur me këtë event, që nuk është bërë publik, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së Gazmend Shalsi tha se ishte një vizitë kortezie, e përgatitur dy javë më parë. Shalsi hodhi poshtë zërat se ardhja e zyrtares së lartë të ambasadës gjermane ishte një trysni diplomatike, që kishte të bënte me konfliktin e shpërthyer midis APD-së dhe koncesionarit të Terminalit Lindor. Shalsi tha se “u bisedua për miqësinë gjermano-shqiptare dhe veprimtarinë e portit”.
Reagimi
Nga ana tjetër, edhe pse Myler-i përmendi para audiencës gjermane ambasadorin në Tiranë [Hellmut Hoffmann], ky i fundit nuk ka konfirmuar publikisht se ka folur me kryeministrin Edi Rama. Gjithsesi, nuk ka se si të mos bjerë në sy një veprim domethënës i zyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë shqiptare të Transportit dhe Infrastrukturës Eduart Seitaj. Ditën e zgjedhjeve administrative, më 21 qershor 2015, dy ditë pas botimit të shkrimit në “Handelsblatt”, kjo zyrë u nisi medieve shqiptare reagimin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të APD-së Gazmend Shalsi, ku hidhen poshtë “disa deklarime për shtyp të përfaqësuesit të koncesionarit EMS z. Manfred Muller, aktualisht koncesionar në kalatën Lindore të portit të Durrësit”.
Ndihmë me linke
Duke u ndalur në disa pohime të shkrimit të “Handelsblatt”-it, është vendi të thuhet se autori i mirënjohur ka dëgjuar vetëm një palë dhe nuk ka bërë investigim në terren, në Durrës, pasi është e rëndë të thuhet se “janë skena sureale ato që po ndodhin në një zonë të portit të Durrësit në Shqipëri”. Kolegu i nderuar Demirxhi nuk ka bërë kërkime për pronarin e firmës “EMS-Fehn” Heiko Luikenga dhe koncesionin e tij në portin e Durrësit EMS APO (i rekomandojmë miqësisht linket: https://books.google.al/books?id=YEbXAwAAQBAJ&pg=PA168&lpg=PA168&dq=heiko+luikenga&source=bl&ots=vjA3P5pFm4&sig=MJrDIgTxH7aFMW0lLnLzSFZtps0&hl=en&sa=X&ei=exaNVbSAJKWC7gbD6oCQCg&sqi=2&redir_esc=y#v=onepage&q=heiko%20luikenga&f=false;
http://articles.latimes.com/1992-03-28/news/mn-4286_1_international-arms; http://balkanblog.org/2014/03/04/deutsche-politiker-und-lobbyisten-erneut-als-partner-der-internationalen-mafia-mit-ems-shipping-und-heiko-luikenga/; https://balkaninfo.wordpress.com/2014/06/01/der-chaos-durres-hafen-von-der-mafia-kontrolliert-und-die-albanische-staatskontrolle/; http://www.durreslajm.com/english/german-ex-jail-bird-grabs-terminal-concession-albanian-port-durres).
Kur koncesioni konsiderohet pronë e kompanisë
Drejtori i kompanisë, Manfred Mueller, thotë se “kjo është një përpjekje e hapur për të shpronësuar (enteignen) një kompani, e cila ndjek me saktësi të gjithë legjislacionin shqiptar”. Autori i shkrimit, ekspert në fushën e biznesit, duhet ta dijë apo ta pyeste Myler-in lidhur me kuptimin e shpronësimit. Në gjermanisht enteignen ka një kuptim rigoroz juridik e që do të thotë kalim i pronës private në dobi të shtetit / shtetëzim (bezeichnet man juristisch den Entzug des Eigentums an einer unbeweglichen oder beweglichen Sache durch den Staat, im Rahmen der Gesetze und gegen eine Entschädigung). EMS APO nuk është pronar i Terminalit Lindor, por koncesionar për 35 vjet. Këtu shteti shqiptar nuk mund të shpronësojë për vete pronën shtetërore! Shumë-shumë, mund të anulojë koncesionin. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. EMS APO-s i është kërkuar, ashtu si dhe Gjermani, të marrë licencë për shërbim ngarkim-shkarkimi, të paguajë të gjitha detyrimet dhe të mos vendosë monopol.
Mitmarrja
Në shkrim ka një konstatim (nuk del qartë nëse është i autorit Demirxhi apo i drejtorit të EMS APO-s Myler): “Sipas një sondazhi të think-tankut amerikan Gallup… Shqipëria është numri një në gadishull [Ballkan] për mitmarrje” (citimi i plotë: “Eine Studie des US-Meinungsinstituts Gallup kam zu dem Ergebnis, dass Bestechung zwischen Österreich und der Türkei beinahe selbstverständlich ist. Albanien belegt der Umfrage zufolge Platz 1 auf der Halbinsel”). Gazeta duhet të kishte saktësuar se për çfarë viti bëhet fjalë në sondazhin e Gallup-it (më i fundit është ai i vitit 2013, kur EMS APO-ja fitoi koncesionin nga qeveria Berisha). Deri në fillim të qershorit 2015, Myler-i nuk është ankuar për mitmarrje (Bestechung) apo korrupsion. Po ashtu, DIHA (Deutsche Industrie- und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), ku është anëtare dhe EMS APO-ja, nuk ka dalë me ndonjë deklaratë zyrtare kundër Tiranës.
Kërcënim me Kancelaren
Si gazeta, ashtu dhe Myler-i, kanë menduar të bëjnë efekt midis duke pohuar se “gjermanët e kanë një as nën mëngë (ein Ass im Ärmel). Muajin e ardhshëm për vizitë do të vijë kancelarja [Angela Merkel], për të mësuar më shumë për vendin, përpara se të vendosë për një anëtarësim të mundshëm. Një terminal i pushtuar porti, ku operon një kompani gjermane, nuk është një argument i mirë politik”. Heshtja e selisë diplomatike në Tiranë dhe e DIHA-s është kuptimplote. Me sa duket, mund të jenë bërë verifikimet përkatëse, përderisa zyrtarët shqiptarët të Ministrisë së Transportit e Infrastrukturës dhe APD-së e konsideruan artikullin thjesht shantazh që nuk ka asnjë ndikim.
KRONOLOGJI / KONCESIONI DHE INCIDENTI NË TERMINALIN LINDOR
23.2. 2011
Me NIPT L11423506M, në QKR regjistrohet “German Albanian Logistics Agency” (GALA) shpk.
22.3.2011
Në “Ditën e Ekonomisë Gjermane” në Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë për Munihun dhe Bavarisë së Sipërme, Heiko Luikenga tha se si rezultat i ecurisë pozitive të biznesit është vendosur krijimi i një shoqërie të re logjistike në Shqipëri (GALA – German Albanian Logistic Agency).
28.9.2011
Vendim i asamblesë, i cili vendosi heqjen e administratorit të shoqërisë Klaus Roben, caktimin e administratorit të ri Manfred Muller për një afat 5-vjeçar.
1.8.2012
Vendim i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë [Kryeministër Sali Berisha] nr. 493,“Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së terminalit lindor në portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit [8.3 pikë], në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë “Ems Shipping And Trading Gmbh”, Gjermani” [me propozim të pa-kërkuar].
22 janar 2013
“Ems Shipping And Trading Gmbh”, paraqet ofertën.
6 maj 2013
Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike dhe Transportit dhe Manfred Myler (Müller), administrator i EMS-së, nënshkruan kontratën e koncesionit për Terminalin Lindor të portit të Durrësit.
15 korrik 2013
Territori i Terminalit Lindor të portit të Durrësit iu dorëzua shoqërisë koncesionare EMS Albanian Port Operator shpk, në zbatim të kontratës, që ka lidhur me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.
5 gusht 2013
Ish-Ministria e Punëve Publike dhe Transportit [sot Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës] nxjerr “formularin e publikimit të njoftimit të kontratës fituese” për koncesionin e menaxhimit, operimit, ndërtimit, mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik dhe adaptimit për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor Durrës.
Maj 2014
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka hartuar Raport mbi auditimin e ushtruar në Autoritetin Portual Durrës. KLSH-ja ka kërkuar të rinegociohet, brenda datës 30 shtator 2014, kontrata e koncesionit datë 6 maj 2013 “Menaxhimi, operimi dhe mirëmbajtja e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit”, në lidhje me objektin e koncesionit, nivelin e investimit privat dhe përqindjen (royalty) fiske për Autoritetin Portual Durrës, pasi në masterplan është parashikuar se objekti i koncesionit janë mineralet e nikel / kromit dhe qymyrit të importit, ndërsa në kontrata përfshin edhe ngarkimin dhe shkarkimin e ngarkesave rifuxho, por edhe të anijeve me ngarkesa të përgjithshme / gjenerale dhe për ngarkesa për projekte sipas rastit. KLSH-ja arrin në përfundimin se operatori ekonomik “EMS Shipping and Trading GmbH” nuk ka plotësuar kërkesat për kualifikim dhe për rrjedhojë është bërë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara
3.6.2015
15 vagonë vetëshkarkues polakë me 629 tonë prokate të prodhuara në Metalurgjikun e Elbasanit për eksport bllokohen në degëzimin hekurudhor në Terminalin Lindor dhe në linjën nr. 2 të stacionit të Mallrave (Shkozet-Plazh) edhe 14 vagonë të tjerë të tipit platformë (P9), prodhim shqiptar, në sasinë 704 tonë. EMS APO nuk lejon asnjërën nga tri kompanitë stivadore (ngarkim-shkarkim) të licencuara, t’i shkarkojnë.
6.6.2015
– Koncesionari i Terminalit Lindor EMS APO nuk lejon “Liburnet 1”, një nga tri kompanitë stivadore (ngarkim-shkarkim) të licencuara, të përpunojë anijen “Union” me 2 031 tonë skrap.
– Vjen për vizitë zëvendës-ambasadorja gjermane Anke Olshtajn (Holstein), drejtuese e sektorit ekonomik, ku “u bisedua për miqësinë gjermano-shqiptare” dhe veprimtarinë e portit.
18.6.2015
– Në një deklaratë për shtyp tw shoqërive të licencuara të ngarkim-shkarkimit thuhet se shoqëria koncesionare EMS Albanian Port Operator, në kundërshtim me kontratën koncesionare, urdhrat dhe udhëzimet e institucioneve përgjegjëse si dhe kuadrin ligjor përkatës për rregullimin e veprimtarisë në Portin e Durrësit, po ndërmerr veprime që shkelin hapur të drejtat e shoqërive të ngarkim-shkarkimit, duke sjellë, si pasojë, krijimin e një monopoli të paligjshëm në ofrimin e shërbimeve në këtë Terminal. sipas kushteve të kontratës koncesionare, nuk e ka të drejtën e ushtrimit të aktivitetit të licencuar të ngarkim-shkarkimit.
-EMS bie dakord me APD për paraqitjen e dokumenteve të nevojshme për marrjen e licencës së stivadorit.
19.6.2015
– EMS e tërheq premtimin për paraqitjen e dokumenteve të nevojshme për marrjen e licencës së stivadorit, duke propozuar një variant tjetër në kundërshtim me marrëveshjen dhe me kontratën mes palëve
– E përditshmja më e madhe gjermane e biznesit “Handelsblatt” boton diaporamën me titull “Nuk ka ryshfet, nuk ka leje”.
21.6. 2015
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës edhe Autoriteti Portual Durrës sqaruan se për aktivitetet stivadore që EMS APO është përpjekur të ushtrojë në mënyrë të paligjshme, duke krijuar konflikte edhe fizike me kompanitë e licencuara, sipas nenit 3.1.2 të kësaj kontrate koncesionare, kërkohet licencim i posaçëm, pasi EMS të plotësojë dokumentacionin e kërkuar. Është një çështje jo vetëm procedurale, por shoqërohet edhe me detyrimet për pagesa nga ana e EMS për tarifat e ushtrimit të një aktiviteti të tillë, siç veprojnë edhe 3 operatorë të tjerë stivadorë në port. Për sa u përket pretendimeve për kërkesa ryshfeti, inkurajohet EMS-ja të denoncojë në prokurori çdo person, i cili u ka bërë një kërkesë të tillë. Duhen përmbushur detyrime ligjore, si: licencimi i aktiviteteve stivadore, mbushja e paligjshme e kontejnerëve apo mospagesat e detyrimeve të tjera koncesionare ndaj APD-së.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





