DURRES – Dita e sotme ka nisur e qetë në tregun e këmbimit valutor në Durrës. Rrezet e diellit të kësaj të hëne nuk mjaftonin për të ngrohur zemrat e dhjetëra kambistëve që si çdo ditë kishin dalë të ushtronin profesionin e tyre. Kjo ditë e parë e kësaj jave nuk ishte njësoj si të tjerat, pasi dje njëri prej tyre humbi jetën, në tentativë për të shpëtuar paratë e fituara me djersën e ballit. Fati tragjik i 46 vjeçarit Fatmir Kotarja ishte kryefjalë e bisedave të tyre. Përsërisnin mes tyre informacionet e marra përmes televizioneve dhe shfletonin gazetat për të gjetur ndoshta një informacion shtesë që u kishte shpëtuar e që mund të hidhte dritë mbi autorët e krimit.

Sot kambistët janë një më pak dhe vdekja e kolegut të tyre u shton edhe më tepër pasigurinë për jetën, pasi profesioni që kanë zgjedhur për të mbajtur familjen mbart jo pak rreziqe, për më tepër që kohët e fundit sulmet ndaj tyre nuk kanë qenë të pakta. Rreziqet e profesionit i dinin që në fillim, por tashmë e ndjejnë pasigurinë edhe më pranë, pasi asnjë nga autorët e grabitjeve të mëparshme nuk është kapur, ndërkohë që shpresojnë që të paktën këta të dy që shkrehën armën ndaj kolegut të tyre të përfundojnë pas hekurave.

Ndërsa shprehin keqardhjen për fatin e Fatmirit, shumë prej të cilëve e kanë njohur personalisht, ata kërkojnë që organet e rendit të veprojnë. “Duhet të kapen sa më shpejt dy grabitësit që vranë shokun tonë dhe drejtësia duhet të japë për ta dënimin maksimal. Ne punojmë çdo ditë me frikë. Pak muaj më parë grabitën dy shokë tanët, ndërsa tani Fatmirin e vranë. Më vjen keq për fëmijët që la jetim dhe që u nda kaq i ri nga jeta”,- shprehet kambisti H.K. ndërkohë një tjetër koleg i tij nënvizon se kështu si kanë ardhur punët shumë prej tyre kanë frikë ta vazhdojnë këtë profesion.

“Kur dalim nga shtëpia tregohemi të kujdesshëm. Profesioni që e bëjmë na detyron të lëvizim me shuma të konsiderueshme lekësh me vete. Shumë kush na njeh dhe mund të bëhemi kollaj pre e ndonjë grabitësi. Agim Ballës i vodhën 2.5 milion lekë, ndërkohë kolegë tanë në qytete të tjera, ashtu si dhe Fatmiri, kanë pasur fat tragjik. Autorët e grabitjeve të mëparshme nuk janë kapur. Ato janë lekët e një jete të tërë duke punuar çdo ditë në diell e shi, në të nxehtë e në të ftohtë. Duam të veprojë drejtësia. Duhet që disa nga grabitësit të dënohen dhe të bëhen shembull për të gjithë, pasi nuk mund të vazhdohet më kështu. Edhe familjet tona jetojnë me frikë për fatin tonë. Dje fëmijët u frikësuan kur dëgjuan lajmin dhe më pyetën: Babi është shoku jot ky? Kur dëgjojmë lajme të tilla mendojmë ta lëmë punën, por me se të ushqehemi pastaj?! Kështu që jemi të detyruar të vazhdojmë të rrezikojmë”,- thotë kambisti E.T. që ka mbi 10 vite që e ushtron këtë profesion.  

Në bisedat me njëri tjetrin theksojnë se shteti duhet të reagojë dhe të tregojë forcën e ligjit, pasi raste të tilla do të vazhdojnë të përsëriten nëse shteti ligjor nuk zbulon dhe dënon autorët.

Sot ata kishin vendosur ta linin më përpara punën. Shumë prej tyre morën pjesë në varrimin e kolegut Fatmir Kotarja. Është nderimi i fundit për shokun e tyre, për kolegun e urtë e punëtor, për njeriun e mirë që nuk ishte ngatërruar ndonjëherë me njeri dhe që kishte një fjalë të mirë për të gjithë ata që njihte. Sot ata varrosin Fatmirin, por frikën për jetën e tyre nuk e varrosin dot, madje ajo ngre krye sa herë që ata përballen me lajme të tilla. Duke uruar që një fat të ngjashëm të e mos pësojnë vetë, ata ecin kokëulur drejt varrezave…