Gazetarja Sonila Meço, përmes një statusi në “Facebook”-un e saj, ka reaguar në lidhje me fyerjen që iu bë gazetares së njohur të kronikës, Klodiana Lala.

Skena e shëmtuar ndodhi ditën e djeshme përpara Kryesisë së Kuvendit teksa gazetarët merrnin në pytje ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ky i fundit doli nga mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe simpatizantët iu drejtuan me fjalë fyese gazetares Lala.

Meço e konsideron Lalën ndër profesionistet e vetme në vendin tonë, dhe për ndodhi të tilla nuk duhet të heshtim.

STATUSI I MEÇOS:

Të fyhesh e denigrohesh pse citon fakte, pse pyet e pse kërkon përgjigje nga ata që votohen për të na dhënë llogari…!!!

Klodiana Lala është gazetare, para se të vetquhet opinioniste e analiste. Është profesioniste, nga të paktat e rracës, që nëse nuk mbrohet sot, do ta lërë llojin të formohet e punojë nga zyrat e shtypit të pushtetit e politikës.

U mbyllën televizione, heshtëm.

U mbyllën programe, heshtëm.

U përzunë gazetarë nga puna, heshtëm.

Vijnë të gatshme kronikat nga zyrat e pushtetit, heshtëm.

U sulmua publikisht një gazetare gjatë ushtrimit të detyrës, heshtëm.

Dhe më së pari shoqatat e gazetarëve. Mandej vetë gazetarët. Mandej publiku.

Kush do flasë për ne, për secilin, kur heshtja të jetë bërë detyrim me ligj? Se si normë e ka fituar statusin…