Ditën e djeshme, blutë e Shijakut ndaluan 44vjeçarin nga Xhafzotaj, Rudin Çallikun, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, pasi është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg për “Shfrytëzim prostitucioni”.

Çalliku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma dhe u ndalua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, pasi Gjykata e Venezia Itali me Vendimin Nr. 116/2002REG.Gl, datë 12.11.2004 e ka dënuar me 5 vjet,6 muaj dhe 15 ditë burgim, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” parashikuar në neni 3.4,575 dhe ligjit Nr.75, datë 20.02.1958 të Kodit Penal talian.

Maksimumi i dënimit është 24 vjet burg.

Por kush është Rudin Çalliku? Sipas mediave italiane, ai është dënuar nga drejtësia italiane në gjyqin ndaj organizatës të njohur si “Kanun”.

Mbi të rëndojnë një sërë veprash të rënda penale në vendin fqinj, nga posedimi i paligjshëm i armëve deri te vjedhja me pasoja të rënda; Nga shfrytëzimi i prostitucionit në trafik droge; nga vrasja e mbetur në tentativë deri tek krimet kundër pasurisë.

Ai ishte arrestuar edhe në vitin 2014, pasi prej 11 vitesh ishte i kërkuar në Apenine.

Rrezikon dënim deri 24 vjet heqje lirie për trafik droge, tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale mafioze.

Lajmi i botuar në portalin “DurrësLajm” më 30 janar 2014

Një tjetër “VIP” i krimit në Apenine, shijakas që fshihet prej 11 vjetësh, është kapur nga blutë bregdetarë për llogari të drejtësisë “trengjyrëshe”. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit njofton se në mesditën e 30 janarit 2014 është kapur në qytetin e Shijakut shumë i kërkuari Rudin Çalliku, 40 vjeç, me banim në qytetin buzë Erzenit. 40-vjeçari u shpall “wanted” nga zyra qendrore kombëtare Interpol Tirana më 26 qershor 2012. Po sipas këtij burimi zyrtar, Interpol Roma ka njoftuar homologët shqiptarë se autoritetet gjyqësore të Gjenovës në Itali kanë lëshuar ndaj Çallikut urdhër arresti qysh më 18 mars 2002. Togat e zeza të “Çizmes” e kanë akuzuar për trafik droge, tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale mafioze. Maksimumi i dënimit arrin në 24 vjet heqje lirie. Bëhet e ditur se vazhdojnë procedurat për ndalimin me qëllim ekstradimi të këtij shtetasi drejt Italisë.