Nga Blendi Fevziu
A ka të drejtë shtypi ndërkombëtar të lidhë Shqipërinë me ISIS-in, dhe mbi të gjitha, a kanë të drejtë myslimanët shqiptarë, ose besimtarët myslimanë këtu të ndihen keq me këtë gjë? Kjo ishte pyetja e parë që më erdhi në mend, duke lexuar disa dhjetëra mesazhe dërguar në adresën e emisionit “Opinion” në Facebook të enjten në mbrëmje, pas emisionit që trajtonte disa reportazhe të shtypit italian dhe britanik së fundmi për Shqipërinë. Reportazhet që merreshin me çështjen e krimit të organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike, i lidhnin këto të dyja me penetrimin e ISIS-it në Shqipëri dhe rekrutimet që ai po bën në vend. Ajo që binte në sy, ishte fakti që shumë prej atyre që shkruanin identifikoheshin si besimtarë myslimanë, shumica praktikantë, që e konsideronin sjelljen e mediave ndërkombëtare, por edhe trajtimin e tyre në OPINION si një fyerje të myslimanëve dhe një lloj presioni ndaj tyre.
Meqenëse nuk mund t’ju përgjigjesha të gjithë mesazheve dhe duke e parë më shumë si fenomen, vendosa që ta trajtoja me këtë editorial.
E para, lidhja e Shqipërisë me ISIS-in nga shtypi ndërkombëtar (kushdo qoftë ai) është një fenomen shqetësues. Ai s’ka të bëjë as me situatën aktuale, as me ideologjinë, as me politikën e ditës, por me një problem real dhe me kosto për vendin. Në këtë kuptim, nëse “Corriere Della Sera” apo “La Stampa” hedhin këtë dyshim, kjo është shqetësuese për gjithë shqiptarët. Pra, ajo do të ishte problematike si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët. Të gjithë janë shqiptarë dhe këtu flitet për imazhin e Shqipërisë. Nuk ka pse besimtarët e islamit të jenë më të shqetësuar se sa besimtarët e tjerë. Të gjithë shqiptarët bashkë duhet të ndajnë të njëjtin shqetësim.
E dyta, edhe nëse në Shqipëri rekrutohen njerëz për të luftuar në Siri apo që shkojnë atje, kjo s’ka asgjë të bëjë me besimtarët myslimanë dhe as i ngarkon ata me përgjegjësi. Sot, propagandë pro ISIS-it bëhet më shumë në Paris e Londër se sa në Tiranë e Prishtinë. Luftëtarë me pasaportë britanike, franceze apo belge ka shumë e shumë më tepër se sa ata që kanë kombësi shqiptare. Prania e disa individëve në radhët e ISIS-it nuk ngarkon automatikisht me përgjegjësi as një shoqëri të tërë dhe as një komunitet besimi. Sot myslimanë janë edhe ata që luftojnë kundër ISIS-it në Turqi, Irak apo edhe Siri. Ndaj kjo s’ka lidhje fare me besimin, por me një filozofi tjetër, me terrorizmin, që vetë besimi e përjashton.
Së treti dhe së fundmi, kriminelë ka në çdo shoqëri. Edhe terroristë. Edhe vrasës. Edhe radikalë. Të gjithë tentojnë t’i japin një kuptim apo një filozofi veprimeve të tyre. Vrasës ka edhe në Perëndim, edhe në Lindje, edhe në vende të hapura edhe në vend totalitare. Vrasësit mund të kenë çdo lloj besimi dhe mund të tentojnë të justifikohen përmes tij, por në thelb janë thjesht vrasës. Vrasësit janë të tillë kudo, në Nju-Jork, në Paris, në Londër, në Bruksel apo në Madrid.
Për të gjitha këto arsye, myslimanët shqiptarë nuk duhet as të shqetësohen dhe as të kompleksohen nga kjo që po ndodh. Mund të shqetësohen të gjithë si shqiptarë, por askush në veçanti. Komuniteti i besimit islam s’ka pasur kurrë lidhje me ekstremizmin në Shqipëri. Individë mund të ketë plot, por këta nuk kanë as përkatësi etnikë dhe as fetare. Individët janë përgjegjës të akteve të tyre, komuniteti jo! Së paku, për aq kohë sa nuk i mbështet.
Opinion.al