Demokratët mblodhën sot Kuvendin Kombëtar, organin më lartë vendimmarrës të tyre, i cili do të votojë për lidershpin e ri të partisë.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar mbahet në Pallatin e Koncerteve dhe i hap rrugën zgjedhjes së ekipit të ri të Lulzim Bashës me të cilin ai do të dalë para votuesve për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme.

Në fjalën e tij Lulzim Basha vlerësoi të gjithë kontribuesit e PD si dhe qytetarët që sipas tij po protestojnë vrullshëm ndaj “qeverisë së krimit”.

“Ju që kontribuat me mish e me shpirt për këtë parti dhe nuk u prirët nga interesi personal dhe ju që jeni bashkuar me ne në këto ditë të vështira ku qeverinë e ka në dorë krimi, ku drejtojnë antivlerat, dua t’ju them se ju jam mirënjohës për të gjitha betejat në mbrojtje të lirisë e demokracisë, që janë testament politik i kësaj partie.

Dua të mbështes sot qytetarët që protestojnë kundër prishjes së Teatrit, apo studentët që protestojnë kundër reformës në arsim.

Rinia studentore ka flakur inercinë e mosveprimit e heshtjes duke na dhënë shembull.  Shqipëria ka nevojë jo vetëm për energjinë dhe ndershmërinë e rinisë, por mbi të gjitha për një mentalitet të ri politik, për një qasje të re ndaj politikës dhe për një politikë ndryshe. Prej 1 shekulli politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve”,-  tha Basha.

“Duhet një brez i ri politik, nje elitë e re e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe është përgatitja e politikës në duart e një elite të re.

Ne duhet të ndërtojmë rrugën për kalimin e përgjegjësisë së vendit në duart e një brezi të ri. Hapja e rrugës mund të arrihet përmes ndërtimit të një sistemi të ri politik dhe meritokratik. Ky do të jetë qëllimi im kryesor”,- tha më tej kreu i demokratëve.