TIRANE- Kuvendi miratoi të enjten në seancë plenare me 73 vota pro dhe 59 kundër aktin normativ për ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2012. 

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se akti normativ i Qeverisë përbën pjesën integrale të stimujve fiskalë që qeveria formuloi si përgjigje ndaj situatës ekonomike globale e sidomos reagimeve që ka patur ekonomia shqiptare përballë tyre. 

Nga ana tjetwr ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deputet i Partisë Socialiste, deklaroi të enjten se akti normativ i qeverisë, i cili parashikon ndryshime në buxhetin për vitin 2012, është dëshmi e qartë e dështimit të kësaj qeverie. 

Malaj tha se kjo qeveri ka thyer një rekord, atë të borxhit më të lartë, në kushtet kur niveli i mbledhjes së të ardhurave vjen çdo vit në rënie. 

Por ministri Bode u shpreh se kjo qeveri nuk ka marrë borxh për shpenzime administrative, siç ka ndodhur me parë në qeverisjen socialiste. 

"Kjo qeveri nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për shpenzime operative, por për investime publike", tha Bode.