Superjahti luksoz “Andromeda” vjen për herë të dytë brenda 3 muajsh në portin e Durrësit, për t’u furnizuar me karburant, por duket se do të jetë udhëtimi i fundit i tij drejt këtij destinacioni.

“Andromeda” u ndal sot në kalatën nr.4 dhe vjen për t’u furnizuar me 350 mijë litra karburant, por ky super mjet besohet se do të shënojë “dallëndyshen” e fundit jo vetëm të sezonit, por edhe të këtij viti në portin më të madh në vend.

Turizmi i karburantit, që këto vite ka lulëzuar në vendin tonë për shkak të politikave fiskale favorizuese të qeverisë shqiptare ndaj mjeteve luksoze detare, pritet të ndalet.

Porti i Durrësit, ishte kthyer për vite me radhë ndalesa e superjahteve luksoze të disa prej pasanikëve të të mëdhenj të botës për shkak të naftës pa akzicë, që ofronte për këto mjete, tarifës së të cilës i shtohej dhe taksa e karburantit prej 40 lekësh.

Për shkak të këtyre politikave, shumë superjahte evitonin ndalesat në portet malazeze dhe vinin në Durrës. E ndodhur nën presionin e rënies së ndjeshme të të ardhurave, qeveria malazeze nxorri një vendim disa muaj më parë, për t’i furnizuar këto mjete me naftë pa akcizë, kundrejt një qëndrimi 72 orësh në port.

Por duket se masa e marrë nuk dha efektin e pritur dhe për këtë arsye, duke nisur nga 15 gushti, autoritetet malazeze ndërmorën një tjetër masë.

Hoqën klauzolën e qëndrimit 72 orësh në port. Tashmë çdo supermjet lundrues luksoz që ndalet në portet malazeze furnizohet me naftë pa akcizë, në vlerën 70 cent për litër.

Ndërkohë, në portet shqiptare, karburanti për këto mjete ofrohet me 1 euro/litri.

Sipas burimeve portuale, të cilave u referohet “DurrësLajm” masa e marrë nga vendi fqinjë pritet të penalizojë arkën e shtetit shqiptar, e cila gjatë një viti vilte rreth 10 milionë euro nga taksa e karburantit vetë në portin e Durrësit.

Në periudhën në vazhdim, pritet të nisë “thatësira” në kalatat e portit më të madh në vend, pasi besohet se superjahtet do ta braktisin atë!

M.B.