Nga Gëzim KABASHI

13shtator 2015 – Ka një lagje në Durrës që dallohet nga të tjerat për numrin e madh të zbulimeve arkeologjike në territorin e saj. E vendosur në trekëndëshin që kufizohet në me rrugët më të rëndësishme të qytetit, bulevardin Durrah, rrugën e Dëshmorëve dhe atë Aleksandër Goga” lagjia nr 11 nis me një zbulim arkeologjik, termat romake, të cilat ndodhen ndën dyshemetë me kollona të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Ky zbulim i vitit 1962, pikërisht atëherë kur në qytetin antik po ndërtohej teatri i ri i qytetit nuk ishte i pari, dhe as i fundit.         

Termat 2000-vjeçare

Arkitektët morën miratimin e shtetit për të bllokuar realizimin e pjesës fundore të projektit dhe nën këmbët e teatrit u zbulua e plotë salla e banjave antike, e shtruar me pllaka bardhë e zi mes mureve me qyngjat e avullit dhe ujit të nxehtë e të ftohtë.

Prof. Vangjel Toçi, drejtori i Muzeut arkeologjik, njeriu që ndiqte me vëmendje gjithçka ndodhte me nëntokën e qytetit, me siguri e dinte se ajo ishte një nga zonat e begata arkeologjike të Durrësit në antikitet dhe në mesjetë.

Bukuroshja në mozaik

Vetëm 2 vite më parë, në vitin 1959 Vangjel Toçi kishte rizbuluar vetëm 150 metra më në veri të themeleve të teatrit një mozaik të mrekullueshëm. Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 m2. Në qendër të tij është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizazhi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh.

Mozaiku që është mbiquajtur "Bukuroshja e Durrësit", një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave që e krijuan atë, ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe.

100 vjet zbulime

Mozaiku më i njohur i Shqipërisë, i cili që nga viti 1982 është vendosur në hyrje të Muzeut historik kombëtar në Tiranë, në fakt kishte dalë në dritë rastësisht 33 vjet më parë, kur një arkeolog ushtarak austriak, Camillo Prascniker, duke ndjekur punimet e reparteve të xhenjos në Durrës ishte ndodhur para mrekullisë me moshë 2300-vjeçare. Pak metra më tek ai zbulon edhe dy buste mermeri, të cilat u transferuan në Vjenë. Zbulimi i vitit 1916 është i pari i një serie të gjatë gjetjesh arkeologjike në lagjen 11, një nga më të vjetrat në Durrës.

Fatkeqësisht ata që menaxhuan të ardhmen e qytetit në shekullin e 20-të nuk e dëgjuan këshillën e arkeologëve austriakë Schober dhe Prascniker, të cilët në vitin 1920 shkruanin se Durrësi i ri duhej ndërtuar para urës së Dajlanit, duke mundësuar ekspeditat e thelluara arkeologjike në qytetin 3000-vjeçar.

Forumi rrethor, një pikëtakimi mesjetare

Njëlloj si në rastin e teatrit “Aleksandër Moisiu” edhe zbulimi i forumit rrethor mesjetar, prapa pallatit të kulturës i dedikohet punimeve për hapjen e themeleve të një pallati. Edhe këtu fatmirësisht punimet ndërpriten dhe i hapet rruga ekspeditave arkeologjike nën drejtimin e prof. Afrim Hotit. Një zbulim mjaft i rëndësishëm që dëshmon jetën social-ekonomike të qytetit në shek. 5-6 të erës sonë. Është një institucion religjoz, një treg i mbuluar, apo një shesh për takime të hapura të qytetarëve?

Ende ka pikëpyetje pa përgjigje, por kjo është pak e rëndësishme për qytetin turistik, i cili ka fituar një hapësirë muzeale me diametër 44 metra, aq sa ç‘është edhe rrethi i kolonadave të zbuluara dhe të restauruara pjesërisht.

25 vjet për t’u harruar

Zbulimet në pjesën veriore të lagjes 11 i takojnë periudhës pas viteve 1990. E njohur si zona A e rëndësisë së veçantë për nëntokën e Durrësit, ndërhyrjet ndërtimore në këtë territor para viteve ’90 kanë qenë shumë të kufizuara. Megjithëse vazhdon të jetë pjesa më pak e prekur e qytetit, lagjja 11 në të gjitha rastet e gërmimeve me qëllime ndërtimi ka dhuruar mrekulli të çdo lloji, disa të shpallura dhe disa të tjera të fshehura e të betonuara nëntokë. Njëra prej tyre e shumëpërfolur edhe në media tashmë ndodhet nën një kompleks banimi, aty ku më parë ndodhej lulishtja “1 Maji”.

Në bodrumet e njërës prej godinave të banimit pranë rrugës “Aleksandër Goga” ruhen fragmente të një furre për prerjen e monedhave të qytetit në antikitet, një tjetër godinë pranë shkollës “Shaqe Mazreku” është ngritur pranë fragmenteve të pjesës veriore të kalasë bizantine të Durrësit, në shekullin 4-5 të erës sonë.

Mozaiku dyngjyrësh i Hipokampit, i njohur si mozaiku me kalë deti ndodhet i mbuluar në një kryqëzim rrugor, shumë pranë bulevardit të Dëshmorëve. I hapur tre herë që nga viti 1947 mozaiku bardhezi mbetet një nga monumentet e shpëtuara, pasi sipas specialistëve ruhet më mirë nën tokë se sa nën veprimin e agjentëve atmosferikë.

Lagja 11, e vetmja që vazhdon të ruajë sadopak pamjen e viteve 1980 ruan me siguri nëntokë edhe “enigma” të tjera të qytetit. Mes 18 lagjeve të qytetit bregdetar ajo mund të tregojë më shumë për të kaluarën e Durrësit.

/portali DurresLajm/