Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari deklaroi sot se është hartuar një plan operacional masash për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarret gjatë sezonit veror, në një kohë kur, sipas tij, vihet re një rritje e rasteve të zjarreve, përfshirë edhe zjarrvëniet e qëllimshme.
Lamallari theksoi se plani është përgatitur nga Ministria e Brendshme, ku rolin kryesor e ka Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe autoritetet vendore.
Sipas tij, fokusi i planit operacional mbetet parandalimi i rasteve të zjarreve, rritja e gatishmërisë operacionale, forcimi i hallkave të reagimit, si dhe mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit.
Ministri nënvizoi se bashkitë kanë përgjegjësi për kontrollin e infrastrukturës dhe burimeve njerëzore në nivel vendor, por shtoi se mbrojtja nga zjarret është një përgjegjësi e përbashkët institucionale.
“Infrastruktura dhe burimet njerëzore në nivel vendor kontrollohen nga bashkitë, por kjo nuk do të thotë se secili ka punën e ndarë. Kjo është një punë dhe një shqetësim i përbashkët. Në fokus të këtij plani mbetet parandalimi i rasteve të zjarreve, rritja e gatishmërisë operacionale dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe efektivëve që angazhohen në fikjen e zjarreve”, u shpreh Lamallari.
Ai bëri të ditur gjithashtu se, krahas ndërhyrjeve operacionale, qeveria po punon edhe për përmirësimin e trajtimit financiar dhe statusit të punonjësve të shërbimit zjarrfikës.
Sipas ministrit, është gati vendimi për mbulimin financiar të orëve shtesë, ditëve të pushimit dhe festave zyrtare për efektivët e këtij shërbimi.
Ministri Lamallari theksoi se po rishikohet edhe sistemi i gradave në shërbimin zjarrfikës, me synim krijimin e një statusi më të qartë dhe më të favorshëm për punonjësit e këtij sektori.
Ministri paralajmëroi se për kontrolle në resorte turistike, bare, restorante dhe ambiente akomodimi, për të garantuar zbatimin e masave të mbrojtjes ndaj zjarreve dhe funksionalitetin e planeve të evakuimit.
“Nga ana tjetër, do të ketë kontrolle në resorte, bare, restorante dhe ambiente akomodimi, kudo ku ka një fluks të shtuar të qytetarëve, për të garantuar që janë zbatuar masat për mbrojtjen ndaj zjarreve dhe që planet e evakuimit janë funksionale”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se operacionet dhe kontrollet në terren synojnë garantimin e një sezoni turistik të sigurt, në mënyrë që çdo vizitor që hyn në Shqipëri të ndjehet i mbrojtur gjatë qëndrimit të tij në vend.





