Ndryshimet e fundit që prekën strukturat drejtuese të Top Channel, duket se po vazhdojnë të nxjerrin në dritë, efektet e reformës së televizionit i cili tashmë drejtohet nga pronarja, Vjollca Hoxha.   

Pas zëvendësimit të ish-kupolës, përbërë nga partnerët e besuar të Dritan Hoxhës, tashmë Top-i po largon dhe gazetarët të cilët po ashtu, identifikoheshin si figurat kryesore në lajmet e këtij ekrani.

Janë tre gazetare të redaksisë së informacionit, të cilët sipas fjalëve që qarkullojnë mes kolegësh mësohet se kanë ikur, të gjendur në siklet me ardhjen e Sokol Ballës në krye të lajmeve në TCH. Por është vetëm Arta Tozaj, ish-korrespondentja në Bruksel, e cila ka guxuar të flasë hapur për shkaqet që e detyruan të largohej nga lajmet, transmeton "Lapsi.al".

“Arsyet janë parimore (si rëndom në të tilla raste). Unë jam vetëdeklaruar në Bruksel dhe kam një NIPT mbi të cilin faturoja TCH për artikujt, që blinte. Rezulton se, uniletarisht dhe pa informuar për plot dy muaj , TCH ka ndryshuar tarifat, sipas oreksit të Drejtorit te informacionit (Sokol Balla). Në anën tjetër, më lejoni të shpreh interesin tim më të lartë mbi këtë ngjarje, e cila më lejoi të kuptoj se ne Shqipëri ekziston ende një shoqëri skllavopronarësh, që nuk mund të konceptojnë për fat të keq, ende, se një gazetar (aq më shumë pa kontrata të çfarëdolloj bashkëpunimi) mund të jetë indipendent, i vetëdeklaruar në një sistem ligjor, për të paguar me ndërgjegje të plote garancitë e domosdoshme sociale ne ushtrimin e profesionit” ka thënë Arta Tozaj për “InfoMedia”.

Nga ana tjetër, Klodiana Kapo, gazetarja e sociales prej orëve të para të krijimit të Top Channel, ka braktisur redaksinë e informacionit për t’u punësuar në TVSH. E po ashtu, Rovena Moçka, gazetarja e politikës pranoi ofertën e ministrisë së Mirëqenies për të punuar në zyrën e shtypit, në vend të vazhdimësisë në Top Channel.