“Nuk mundet dot sot të qeverisi pushteti vendor Durrësin vetëm në qendër dhe me disa vepra inxhinierike. Durrësi sot është shumë më i gjerë dhe unë jam i sigurt që shumë nga qytetarët e Katundit të Ri, Gjirit të Lalzit, Rrushkullit, Ishmit etj nuk kanë më lidhje dhe nuk e njohin pushtetin vendor. Buxheti i Shtetit paguan më shumë sot për qeverisjen vendore, por nga ana tjetër ka rënë shërbimi”.

Kështu ka deklaruar sot gjatë një takimi me strukturat e LSI, deputeti i Durrësit Lefter Koka, i cili nënvizoi ndër të tjera gjatë fjalës së tij vështirësitë e shumta ekonomike me të cilat përballen shumë nga familjet shqiptare.

Sipas Kokës, shumë shqiptarë po shohin sot si zgjidhjen më të mirë, emigracionin, largimin drejt vendeve evropiane për një jetesë më të mirë.

“Situatë politike shumë e rëndë”, e cilëson Koka gjendjen aktuale që po kalon vendi, ndërsa ka publikuar të plotë mbledhjen e strukturave të LSI-së me kryetaren e kësaj force politike, Monika Kryemadhi.