Që nga largimi i Claudio Ranieri-t, pas rezultateve negative të skuadrës, Leicester City ka rigjetur forcat dhe është kthyer te fitorja në Premier League. “Dhelprat” janë gjithashtu në çerekfinale të Ligës së Kampioneve ku do të përballen me spanjollët e Atletico Madrid-it. Bashkë me Leicester-in është kthyer edhe Jamie Vardy i cili i ka dhënë fund thatësirës që zgjaste prej 637 minutash me golin që shënoi në fitoren 2-3 në shtëpinë e West Ham United.

Por për sulmuesin e Leicester-it (24 gola sezonin e kaluar) nuk është gjithçka rozë. Ai ka rrëfyer se pas shkarkimit të trajnerit italian, ka marrë kërcënime me vdekje. Kjo për arsye se një pjesë e tifozëve e konsiderojnë Vardy-n shkaktar të largimit të Ranier-it. “Marr çdo javë kërcënime me vdekje, në rrjetet sociale dhe në rrugë”, shpjegon sulmuesi për “Sun”.

“Do të thoja se mbështetësit e futbollit nuk më duan dhe aq. Ne futbollistët nuk mund të bëjmë asgjë kundër akuzave falso që na drejtohen. Unë nuk i kushtoj rëndësi, por kur njerëzit tentojnë ti hakërrrehen gruas time ndërsa është në makinë së bashku me fëmijët në ndenjësen e pasme, ky është problem. Ka ndodhur disa herë dhe është e tmerrshme”, rrëfeu sulmuesi i “Dhelprave”. Sipas mediave angleze ka qenë pikërisht Vardy së bashku me gardën e vjetër të Leicester-it, ai që u kërkoi drejtuesve kokën e Ranieri-t diçka të cilën lojtari e ka mohur gjithmonë