Shqiptarët të cilët janë në proces aplikimi për pajisje apo ripajisje me leje qëndrimi në Greqi dhe largohen jashtë vendit helen, në kthimin duhet të kenë së bashku me dokumentin e identifikimit edhe letrën e aplikimit për t’u pajisur apo ripajisur me leje qëndrimi.

Njoftimi është dhënë nga Ambasada shqiptare në Greqi, e cila ka sqaruar të gjithë shqiptarët për procedurat që duhet të ndiqen në rast se largohen nga Greqia gjatë kësaj periudhe, duke i dhënë përgjigje dhe diskutimeve në media mbi vendimin e qeverisë greke.

“Pas komunikimeve të vazhdueshme të Ambasadës shqiptare në Athinë me institucionet kompetente Greke, ju bëjmë me dije se:

Me Vendimin Nr. 4000/3/98-ib, publikuar në Fletoren Zyrtare të Qeverisë së Republikës Greke, sot, në datën 19 mars 2024, mbi “Daljen dhe rihyrjen e shtetasve të huaj të vendeve të treta me leje qëndrimi, afati i vlefshmërisë së të cilave ka përfunduar dhe të shtetasve të huaj të vendeve të treta që kanë aplikuar për pajisje me leje qëndrimi”, përcaktohet se:

Gjatë periudhës 31-03-2024 deri 31-12-2024, lejohet dalja në një vend të tretë, jashtë shteteve anëtare të Shengenit, dhe rihyrja e shtetasve të vendeve të treta që banojnë ligjërisht në Greqi, mbajtës të: Një vërtetimi të vlefshëm aplikimi për pajisje për herë të parë ose ripajisje me leje qëndrimi, sipas neneve 10 dhe 11 të ligjit nr. 5038/2023 ose Një vërtetimi të vlefshëm të posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, sipas nenit 16 të ligjit nr. 5038/2023, me kusht që të dalin nga Greqia brenda periudhës së sipërpërmendur dhe të posedojnë pasaportë të vlefshme ose dokument tjetër udhëtimi të njohur nga Greqia.

Nga ky Vendim përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në proces aplikimi për pajisje/ripajisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës”, njofton Ambasada Shqiptare në Athinë.

Në komunikimin e saj Ambasada shqiptare në Athinë, u bën thirrje shqiptarëve që për çdo paqartësi apo informacion shtesë, të kontaktojnë Ambasadën në nr. 210-6876208, ose nëpërmjet e-mail-it: [email protected]

Po ashtu bashkëngjitur njoftimit, Ambasada ka publikuar dhe linkun ku gjendet vendimi i qeverisë greke i zbardhur plotësisht.