Polemikat dhe debatet nuk kanë fund në një ndeshje Barcelona-Real Madrid. Këtë herë është përfshirë edhe ai që në shumicën e rasteve i ka ndjekur ato në distancë. Leo Mesin duket se nuk e kanë mbajtur nervat në pushimin e ndeshjes. Ai ka qenë protagonist në fushën e lojës pas disa dyluftimeve me Ramosin dhe e ka përjetuar shumë këtë sfidë.

Mesi gjithashtu u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë të ndeshjes pas një ndërhyrjeje të qëllimshme që i bëri Ramosit, por nuk përfundon me kaq. Debatet vazhduan gjithashtu në tunelin e stadiumit “Kamp Nou” mes palëve.

Sipas mediave spanjolle, në momentin kur lojtarët dhe arbitrat po futeshin në dhomat e zhveshjes sigurisht që “Pleshti” e ka pritur gjyqtarin në tunel dhe ka shpërthyer kundër tij.

Ai është ankuar me kartonin e kuq që mori Serxhi Roberto. “Je duke e bërë në brekë. Po e bën në brekë dhe po i ndihmon ata”, mësohet t’i ketë thënë sulmuesi argjentinas.Diçka e tillë ka hapur shumë polemika sepse gjyqtari i njohur që bën moviolën e gazetës “AS” ka thënë se lojtari duhet të ishte ndëshkuar me karton të kuq, pavarësisht se polemika vazhdoi në tunel.

Por në fillimin e pjesës së dytë ka pasur një debat edhe mes dy mbrojtësve Naço dhe Pike. Ky i fundit po bënte ironi me faktin që Barcelona mbeti me 10 lojtarë, ndërsa Naço i kundërpërgjigjet: Si mund të ankoheni vetëm për një rast të tillë. Ne kemi 17 ndeshje që i luajmë me 10 lojtarë kundër jush.

U desh të afrohej kapiteni i Realit Serxho Ramos që dy lojtarët të mos e vazhdonin më debatin e tyre në distancë, por të nisnin rrugën për t’u futur në fushën e lojës për të luajtur pjesën e dytë.