Nga Xhafer Rakipllari*
Lot të nxehtë janë rrokullisur në fytyrat e studentëve, pedagogëve, shqiptarëve këto javë. Nuk është turp të pranojmë që na ka kapluar frika, ankthi dhe nervozimi, frustrimi për të panjohurën që na pret.
Në 10 vitet e mia të punës universitare, nuk kam parë shqetësim më të madh në një komunitet akademik sesa këto ditë të përhapjes së pandemisë COVID-19. Studentët janë larguar nëpër rrethet e tyre, administrata dhe pedagogët janë duke punuar në distancë, një format krejt i ri për shumicën prej nesh.
Rrjedha e edukimit, punës dhe jetës sonë ka ndryshuar.
Mesazhi i një nëne, vajza e së cilës kishte probleme ankthi edhe përpara Coronavirus-it, por që me trimëri të pashoqe i kishte tejkaluar dhe kishte arritur të ndiqte leksionet, më preku thellësisht. Fjalët e veshura me dashuri amësore “se vajza po vuante për pamundësinë e vazhdimit të jetës universitare” më njomën faqet. Njësoj na preku të gjithëve kolegia jonë, Edmira, nënë e një të porsalinduri, e cila fill pasi sistemonte të voglin, vijonte të përgatiste video informuese që studentët të kalonin lehtësisht nga mësimdhënia tradicionale në atë në distancë.
Sytë tanë kanë parë shumë shembuj të dashurisë së pakushtëzuar të studentëve, pedagogëve, administratës. Një grup punë ka punuar ditë-natë edhe në fundjavë për të mundësuar nisjen e mësimit në distancë dhe kapërcimin e kësaj sfide të imponuar nga COVID-19. A ia kemi dalë? Rezultatet janë inkurajuese.
Por sytë e njomur kanë gjithashtu aftësinë ta shquajnë më shumë të hijshmen. Kriza e COVID-19 kërkon distancim social, e megjithatë ne i jemi përgjigjur kësaj me bukurinë e lidhjes shpirtërore.
Largësia, kjo normë e re e solidaritetit njerëzor.
Siç na ka mësuar shpesh ky vend, kur kujdesemi për njëri-tjetrin në nivelin më të thellë njerëzor, mund të kapërcejmë çdo vështirësi. Ndaj jam fort krenar për studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, por edhe për mbarë studentët e tjerë në vend. Ata janë treguar të duruar, të ndërgjegjshëm, mirëkuptues dhe të vëmendshëm gjatë kësaj situate ende në zhvillim.
“Basti” im është që studentët dhe stafi do të vazhdojnë të lidhen me njëri-tjetrin në këtë format të ri, në dukje jo-personal. E teksa lundrojmë në këto ujëra të paeksploruara, ata do të dinë të përshtaten dhe të shfaqin empati. Studentët na kanë dëshmuar që ne të gjithë jemi thellësisht të lidhur me shoshoqin dhe se bekimet tona më të mëdha gjenden në rrahjet e zemrës së dhembshur dhe bujare.
Ne do ta mposhtim këtë flamë. Do të dojë kohë, por nuk duhet ta humbim shpresën. A nuk janë shembulli më i mirë i rezistencës vetë gjyshërit tanë, që i mbijetuan Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore, dhe epidemisë së kuqe të komunizmit?
Ndërsa sot duhet të na japë kurajë vetëm të parit e fqinjëve italianë, që mes mijëra arkëmortesh, gjetën force t’i këndojnë njëri-tjetrit nga ballkonët me parmakë.
Ka shumë njerëz të mirë atjepari që po punojnë fort për të na nxjerrë nga kjo krizë!
Në qershor të vitit 1963, para studentëve në Washington, presidenti amerikan John Keneddy përcolli mesazhe mbi paqen (ishte koha e Luftës së Ftohtë). Disa prej atyre fjalëve të mençura është me vend t’i sjellim sërish ndërmend:
“Sepse, në fund të fundit, lidhja jonë më themelore e përbashkët është që të gjithë banojmë në këtë planet të vogël. Të gjithë thithim të njëjtin ajër. Të gjithë ne e vlerësojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe të gjithë ne jemi të vdekshëm.”
Ja një tjetër mësim i bukur mbi mposhtjen e së keqes dhe triumfin e së mirës.
Forca nuk vjen nga fitoret në “betejat” tona (të vazhdueshme), por nga rrugëtimi ndër vështirësi pa kapitulluar në indiferentizëm, pikëllim apo dëshpërim. Unë besoj se një komunitet që dëshmon një fuqi të tillë mund të marrë në dorë fatin e tij për ta çuar atë drejt një të ardhmeje të ndritur.
Së toku, ne do të shkojmë drejt asaj të ardhmeje.
Së toku, në Shqipëri!
*Autori është Drejtor i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në Universitetin e Durrësit