Një shqiptar nga Kosova që mbante pëllumba në Zvicër ka helmuar një pëllumb, duke qenë i bindur se kur skifterët ta hanin do të ngordhnin të helmuar.

Por historia e shqiptarit këtu vetëm sa filloi, pasi veprimi i tij u cilësua krim dhe për këtë  u dënua nga Gjykata e Qarkut e Bülach-ut (Kantoni i Cyrihut).

Pas dënimit, ai u ankua në një shkallë më të lartë, kështu që rastin e tij e ka trajtuar të hënën Gjykata e Lartë e Kantonit të Cyrihut, transmeton albinfo.ch.

Në këtë mënyrë, kjo është shkalla më e lartë gjyqësore në të cilën është procesuar një rast i tillë, i helmimit të shpezëve.

Shpezët grabitqarë, si skifteri etj. në Zvicër janë nën mbrojtje të ligjit, në nivel federal.

Gjykata e Qarkut kishte konstatuar se kosovari 37-vjeçar e kishte lëshuar të fluturonte pëllumbin e tij pasi e kishte lyer me helm. Por pëllumbi ishte kapur para se të arrinte të bënte dëm.

Kështu, shqiptari u dënua me një dënim me kusht me para prej 9000 frangash (300 njësi ditore nga 30 franga) si dhe një gjobë efektive prej 1500 frangash. Avokati kishte kërkuar lirim nga akuza dhe e kishte dërguar dosjen në Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit i ka shqiptuar dje kosovarit një dënim dukshëm më të ashpër. Përveç një dënimi me 15 muaj burg me kusht, ai duhet të paguajë edhe një gjobë prej 1500 frangash.

Fenomeni i vrasjes së skifterëve dhe zogjve të tjerë grabitqarë ishte dokumentuar në vitin 2011 edhe në mënyrë filmike.

Një kamerë e vendosur në një oxhak kishte filmuar vdekjen e një skifteri të helmuar ndërsa po i ushqente zogjtë e tij me pëllumbin e helmuar që e kishte kapur pak më parë.